Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se komunikimi me liderët e partive politike po vazhdon në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional.
Kurti tha se synimi i tij dhe i bashkëbisedimeve politike është arritja e një marrëveshjeje që do të mundësonte tejkalimin e situatës aktuale pa shkuar sërish në zgjedhje.
Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhnin domosdoshmërisht problemin, ndërsa përsëritja e tyre do të ishte e panevojshme.
“Jemi në komunikim dhe do të përpiqemi çdo ditë që të arrijmë marrëveshjen politike, në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme”, deklaroi Kurti.
Ai u bëri thirrje liderëve të partive të tjera që të angazhohen në dialog dhe të kërkojnë një dakordim politik.
Kurti theksoi se qytetarët presin zgjidhje të situatës dhe jo një proces tjetër zgjedhor, duke e cilësuar marrëveshjen politike si rrugën për tejkalimin e krizës institucionale.

