Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive dhe pretendimet se një veprim i tillë nuk përbën shkelje të Kushtetutës.
Gruda ka kundërshtuar interpretimin e Konjufcës, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar tashmë çështjen e afatit për konstituimin e Kuvendit.
“Glauk Konjufca, në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, ka shkruar Gruda.
Sipas tij, Aktgjykimi KO124/25 nuk lë hapësirë për interpretim të ri sa i përket afatit 30-ditor. Ai pretendon se Gjykata ka përcaktuar se brenda këtij afati Kuvendi duhet ta përfundojë procesin e konstituimit.
“Gjykata, në Aktgjykimin KO124/25, e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, është shprehur Gruda.
Në mbështetje të qëndrimit të tij, deputeti i PDK-së ka cituar paragrafin 140 të aktgjykimit të Kushtetueses, ku thuhet se afati i përcaktuar në nenin 66 të Kushtetutës nuk duhet të konsiderohet vetëm si afat për tentimin e konstituimit.
“Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi”, ka cituar Gruda.
Në fund të reagimit, Gruda ka vënë në pikëpyetje nevojën që çështja të rikthehet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ajo tashmë ka dhënë qëndrimin e saj.
“Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon të dërgojm edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, ka shkruar ai.

