Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar për largimin e dy punonjësve, pas dyshimeve se kanë transportuar xehe jashtë orarit të punës.
“Me datën 10.08.2026, Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A. ka nxjerrë Vendimin me nr. prot. 7134, në lidhje me Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë, për largimin e përkohshëm nga puna të 2 (dy) punonjësve: Z.R dhe H.K”, thuhet në postimin në facebook.
Sipas këtij vendimi, punonjësit e lartcekur largohen përkohësisht nga puna, deri në marrjen e vendimit nga Komisioni Disiplinor.
“Vendimi është nxjerrë pas dyshimeve të bazuara se punonjësit në fjalë kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet e dhëna, duke organizuar transportimin e xehes jashtë orarit të rregullt të punës. Për rrjedhojë, ekziston dyshimi se janë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, sipas nenit 10, paragrafëve 1.1, 1.3, 1.9 dhe të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepça Sh.A”, vazhdon njoftimi.

