Thursday, August 13, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu: Stafi i Kuvendit të mos përfshihet në përplasjet politike

Haxhiu: Stafi i Kuvendit të mos përfshihet në përplasjet politike

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj kritikave të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me komunikimet e Zyrës për Informim të Kuvendit, duke kërkuar që përplasjet politike të mos shtrihen te stafi profesional i institucionit.

Haxhiu ka thënë se mospajtimet politike duhet të adresohen ndërmjet bartësve të përgjegjësive politike dhe jo përmes zyrtarëve të administratës së Kuvendit.

“Mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka kërkuar që të mos e përfshihet stafi profesional i Kuvendit në debatet politike dhe të mos e vërë atë nën presion për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive institucionale.

“Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”, është shprehur ajo.

Kryetarja e Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve të PDK-së që çdo pakënaqësi ndaj punës së saj ta adresojnë drejtpërdrejt te ajo ose përmes mekanizmave institucionalë.

“Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike vetëm për shkak të ushtrimit të detyrave të tyre.

“Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka theksuar se stafi i Kuvendit nuk duhet të konsiderohet palë në përplasjet politike dhe ka dënuar publikisht, siç e ka cilësuar ajo, këtë qasje ndaj zyrtarëve të institucionit.

Haxhiu ka kërkuar që çdo pretendim konkret ndaj punës së zyrtarëve të Kuvendit të paraqitet me fakte dhe përmes rrugëve institucionale, duke kundërshtuar sulmet dhe insinuatat ndaj stafit profesional.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram