Thursday, August 13, 2026
HomeLajmeKosovëAktakuzë ndaj pesë personave për zjarrvënien në një diskotekë

Aktakuzë ndaj pesë personave për zjarrvënien në një diskotekë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave lidhur me zjarrin që përfshiu një diskotekë në zonën industriale Prishtinë–Fushë Kosovë, më 14 shkurt 2025. Sipas Prokurorisë, dëmi material i shkaktuar nga zjarri arrin në 969.435 euro.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, është ngritur aktakuzë ndaj SH.T. dhe F.S. për veprën penale “Zjarrvënia”, ndërsa ndaj B.H., I.M. dhe RR.A. për veprën penale “Shtytje nga zjarrvënia”.

Ndaj F.S. rëndon edhe akuza për “Pengimin e të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, zjarri ishte vënë më 14 shkurt 2025, rreth orës 04:53, në rrugën “Epiri”. Prokuroria pretendon se SH.T. dhe F.S., në bashkëkryerje dhe pas shtytjes nga RR.A., kanë kryer zjarrvënien në këmbim të një shpërblimi prej 3 mijë eurosh.

“Si pasojë e këtij veprimi, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material në vlerë prej 969.435 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Aktakuza përfshin edhe një rast tjetër të zjarrvënies, që lidhet me periudhën nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Sipas Prokurorisë, B.H. dhe I.M., së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kanë shtyrë një person ende të paidentifikuar që t’i vërë zjarrin automjetit “Range Rover” të të dëmtuarit S.S.

“Qëllimi i këtij veprimi ka qenë hakmarrja, pasi të pandehurit konsideronin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si rezultat i veprimeve të dëmtuarit S.S.”, thuhet në aktakuzë.

Si pasojë e djegies së automjetit, sipas Prokurorisë, është shkaktuar dëm material prej 54.892,72 eurosh.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe t’i dënojë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim përfundimtar gjyqësor.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram