Friday, August 14, 2026
HomeLajmeKosovëDeputetët e PDK-së: Komunikata e mbrëmshme e Kuvendit, skandaloze

Deputetët e PDK-së: Komunikata e mbrëmshme e Kuvendit, skandaloze

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë shprehur shqetësimin lidhur me komunikatën e publikuar mbrëmë nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se deputetët e opozitës ndërprenë aktivitetet e parapara me të rinjtë dhe mërgatën duke u futur në sallën plenare.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cilësoi si skandaloze komunikatën, duke thënë se Kuvendi nuk i takon asnjë partie politike.

“Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit. Pra komunikata në fjalë thotë, po e citoj, ‘Në ditën e tretë, vizita e sallës plenare është ndërprerë për disa minuta pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë’”, tha ajo.

Deliu-Kodra tha se do të kërkojë sqarime nga sekretarja e Kuvendit, duke theksuar se administrata duhet të jetë neutrale.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Artan Behrami, u shpreh i shqetësuar për politizimin e administratës së Kuvendit.

“Pra, shqetësimi jonë është i thellë dhe ka bazë, sepse tashmë ky pushtet ka arritë që ta okupojë jo vetëm zyrat politike, po fatkeqësisht edhe ato zyra që për detyrë dhe përshkrim pune kanë me qenë neutrale”, tha Behrami.

Ai theksoi se të gjithë deputetët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga administrata dhe Zyra për Media e Kuvendit.

Deputetët e PDK-së kanë theksuar se kanë dërguar edhe ankesë zyrtare në Sekretarinë e Kuvendit lidhur me përmbajtjen e komunikatës në fjalë. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram