Një armë që dyshohet se mund të ketë qenë e përfshirë në vrasjen e shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999 është bërë pjesë e hetimeve për zbardhjen e krimeve në Kalludër dhe Jabukë.
Policia e Kosovës ka kontrolluar pronën e serbit Nenad Rashkoviq në Zubin Potok, ndërsa arma e tipit AK-47, e gjetur në pronën e tij, po i nënshtrohet ekzaminimit forenzik për të përcaktuar nëse përputhet me gëzhojat e gjetura në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë.
Kjo armë e tipit kallashnikov AK-47, e prodhimit serb, është në pronë të Nenad Rashkoviqit.
Sipas burimeve të RTK-së, Rashkoviqi dyshohet se është larguar drejt Serbisë për t’iu shmangur arrestimit nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime të dyshuara të luftës.
E si në rastet e tjera kur persona të dyshuar për krime lufte janë përballur me drejtësinë në Kosovë, edhe në këtë rast, Rashkoviqi e ka gjetur mbështetjen te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Prona e Rashkoviqit ndodhet në afërsi të tre lokacioneve me varreza masive ku janë zbuluar mbetje mortore që lidhen me krimet e luftës në Kalludër të Vogël dhe Jabukë.
Deri më tani, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në Zubin Potok.
Në varrezën masive dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë, të njohur si grupi i intelektualëve të Mitrovicës.
Megjithatë, nëse bëhet fjalë për trupat e këtij grupi apo për persona të tjerë të zhdukur, pritet të përcaktohet vetëm pas ekzaminimeve të plota nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

