Saturday, August 15, 2026
HomeLajmeBotëPunëtorët gjejnë ar me vlerë 9 milionë euro në muret e një...

Punëtorët gjejnë ar me vlerë 9 milionë euro në muret e një ndërtese në Belgjikë

Punëtorët që po rinovonin një ndërtesë në Belgjikë kanë gjetur një sasi ari me vlerë rreth 9 milionë euro, të fshehur në muret e bodrumit, raporton BBC.

Shufrat dhe monedhat e arit u zbuluan gjatë punimeve për vendosjen e tubave të rinj të kanalizimit në një pronë në Flandrën Lindore. Në mesin e punëtorëve ishte edhe Kobe, një 18-vjeçar që po punonte gjatë verës.

“Reagimi ynë i parë ishte mosbesim dhe habi. Në fillim mendova se ishin monedha prej një euroje. Por më pas pamë edhe një copë ari. Atëherë kuptuam se ishte diçka më e madhe”, tha Kobe për transmetuesin publik belg VRT, përcjell BBC.

Sipas The Guardian, thesari përfshinte monedha ari, copa ari dhe shufra të numëruara, të vendosura në një çantë dhe të fshehura brenda një muri të mbyllur me tulla në bodrum. Punëtorët njoftuan policinë menjëherë pas zbulimit.

“Ka aq shumë monedha dhe shufra sa do të ishte pothuajse e pamundur t’i mbaje. Përveç kësaj, kjo do të ishte vjedhje”, tha menaxheri i kantierit, Mario, për VRT.

“9 milionë euro – thjesht nuk mund t’i mbash të fshehura”, tha Kobe.

Prona aktualisht i përket organizatës CAW Oost-Vlaanderen, e cila ofron shërbime sociale në Dendermonde. Policia ka bërë të ditur se i gjithë ari është zhvendosur në një vend të sigurt dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shkojnë në kantier për të kërkuar thesare të tjera.

Sipas BBC-së, pronari i ligjshëm ka pesë vjet kohë për të kërkuar thesarin. Prokuroria lokale ka nisur hetimet, ndërsa ende nuk dihet se kujt mund t’i përkasë ari.

Nëse askush nuk paraqitet për ta kërkuar dhe nëse ari nuk rezulton i lidhur me ndonjë veprimtari kriminale, ligji civil belg parashikon që thesari i fshehur në pronën e dikujt tjetër të ndahet mes personit që e ka gjetur dhe pronarit të pronës.  

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram