Saturday, August 15, 2026
HomeLajmeKosovëKomuna e Prishtinës reagon pas kërkesës së VV-së për hetime mbi legalizimet

Komuna e Prishtinës reagon pas kërkesës së VV-së për hetime mbi legalizimet

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas konferencës së Lëvizjes Vetëvendosje, ku u ngrit çështja e qasjes në dokumentacionin e disa rasteve të legalizimit në kryeqytet. Komuna ka thënë se askujt nuk i është refuzuar qasja në dokumentacionin e katër rasteve të legalizimit dhe se kërkesa është trajtuar në përputhje me ligjin.

Komuna e Prishtinës ka thënë se pretendimet se është refuzuar qasja në dokumentacion nuk qëndrojnë.

“Lidhur me pretendimet e ngritura sot nga Lëvizja Vetëvendosje, sqarojmë se askujt nuk i është refuzuar qasja në dokumentacionin e katër rasteve të legalizimit. Pretendimi i kundërt është dezinformim”, ka thënë Komuna.

Sipas Komunës, kërkuesve u janë ofruar vendimet e legalizimit, ndërsa për pjesën tjetër të dokumentacionit u është mundësuar konsultimi i dosjeve në ambientet e Komunës, në një termin të dakorduar paraprakisht.

“Kërkesa është trajtuar në përputhje me ligjin. Kërkuesve u janë ofruar vendimet e legalizimit, ndërsa për dokumentacionin tjetër u është mundësuar konsultimi i dosjeve në ambientet e Kryeqytetit, në termin të dakorduar paraprakisht”, thuhet në reagimin e Komunës.

Komuna ka bërë të ditur se dosjet përmbajnë të dhëna personale dhe private të personave fizikë, të cilat, sipas saj, nuk mund t’i shpërndajë në kundërshtim me ligjin.

“Transparenca nuk nënkupton shkelje të ligjit dhe as ekspozim të të dhënave të mbrojtura. Kryeqyteti nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Komuna.

Komuna ka thënë se do të vazhdojë të zbatojë ligjin, të garantojë transparencën dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve, “pavarësisht presionit apo interesit politik të kujtdo”.

Po ashtu, Komuna ka inkurajuar që për çdo pretendim tjetër t’u drejtohen institucioneve kompetente, duke thënë se është “gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë”.

Reagimi i Komunës vjen pasi grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës mbajti konferencë për media, ku ngriti shqetësime lidhur me disa raste të legalizimit në kryeqytet dhe kërkoi nga Prokuroria që të nisë hetimet, pas publikimit të disa mesazheve ku përmenden raste konkrete të legalizimit të objekteve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram