Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve në tri lokale në Prishtinë janë ndaluar gjithsej 23 mijë e 918 artikuj të ndryshëm.
Sipas Doganës, mallrat e ndaluara përfshijnë 16 mijë e 394 mbrojtëse për telefona mobilë, kufje të modeleve AirPods dhe AirPods Max, kabllo USB-C dhe Lightning, adapterë dhe pajisje për mbushje, orë inteligjente, pajisje AirTag, lapsa elektronikë, tastiera, aksesorë të tjerë elektronikë dhe bateri për telefona mobilë.
Në mallrat e ndaluara janë evidentuar shenja të markave të njohura tregtare, përfshirë Apple, Louis Vuitton, Prada, Gucci dhe Guess.
Dogana ka bërë të ditur se në lokalin e parë janë ndaluar 22 mijë e 391 artikuj, në lokalin e dytë 477 artikuj, ndërsa në lokalin e tretë 1 mijë e 50 artikuj.
Dy nga subjektet e kontrolluara janë referuar për trajtim të mëtejmë në Sektorin për Kundërvajtje Doganore.
Ndërkaq, për subjektin e tretë, për shkak të sasisë dhe vlerës së lartë të mallrave të ndaluara, është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndërsa rasti do të trajtohet në përputhje me udhëzimet e saj.
Sipas Doganës, të gjitha mallrat janë vendosur nën mbikëqyrje doganore dhe do t’u nënshtrohen procedurave përkatëse për verifikimin e dokumentacionit, prejardhjes së tyre dhe respektimit të legjislacionit doganor dhe të të drejtave të pronësisë intelektuale.

