Rinia Demokratike e Kosovës përmes një aksioni simbolik para Kuvendit të Kosovës ka shprehur shqetësimin për siç thonë `pengmarrjen dhe bllokadën institucionale nga ana e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje`.
Anëtarët e RDK-së kanë vendosur në dyert e Kuvendit posterë me fotografitë e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Avni Deharit nën mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës”, si dhe me sqarime lidhur me procedurat dhe afatet e konstituimit të Kuvendit.
Kryetarja e RDK-së, Arbnora Salihu ka theksuar se janë aty për t’ua rikujtuar “shkelësve të Kushtetutës” që askush nuk është mbi rendin ligjor dhe kushtetues të vendit.
“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po e shkelin Kushtetutën e po i bllokojnë institucionet, ua kujtojmë që: Asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund ta pranojnë që këto lloj shkelje të bëhen praktikë, e pastaj të na shiten si normalitet”, ka theksuar ajo.
RDK i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që e ka shumicën parlamentare ta thërrasë seancën dhe ta konstituojë Kuvendin.
“Kushtetuta parasheh 30 ditë për konstituimin e Kuvendit, nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë afat, ndërsa Rregullorja thotë se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë”, ka deklaruar kryetarja e RDK-së, Arbnora Salihu.

