Partia Demokratike e Kosovës refuzoi takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një konference për media.
Uran Ismaili nga kjo parti tha se LVV po provon shtyrjen e afateve kushtetuese dhe e quajti manipulim politik tentativën për të mbledhur partitë politike më 18 gusht.
“Kjo është edhe një tentativë e manipulimit të Kurtit me shtyrjen e afateve kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Haxhiu më mirë kishte me qenë me i shkrua letër Avni Deharit, sepse çdo pushtet në Kosovë bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe Kuvendi është i suspenduar. Si mundesh me ushtru mandate edhe me dërgu letra dhe nuk ia dërgon letrën Avni Deharit. Prandaj, ky është manipulim i radhës dhe PDK nuk do jetë në atë takim. Po ju themi ejani në Kuvend mos ikni”, tha Ismaili.
Ismaili shtoi se grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër më 16 gusht.
“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Por në njëjtën kohë, Kosova nuk mundet të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht. Nuk do të pranojmë; nuk do ta normalizojmë një sjellje të tillë. Dhe nuk do ta lejojmë”, tha ai.
Ai tha se PDK me prezencën e saj dje në Kuvendin e Kosovës për herë të tretë, kanë kërkuar institucione funksionale.
“Ne kërkuam Kushtetutën, respektimin e saj. Ata po vazhdojnë me kalkulim politik e partiak”, tha ai.

