Prishtina do të mirëpresë më 4, 5 dhe 6 shtator edicionin e dytë të Prishtina Dance Festival, festival ndërkombëtar që do të mbledhë në Kosovë vallëzues dhe artistë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
Pjesë e programit këtë vit do të jenë më shumë se 32 artistë ndërkombëtarë, përfshirë edhe vallëzues shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë ndërtuar karrierë jashtë Kosovës.
Organizatori i festivalit, Rron Haxhiislami, ka thënë se një nga veçantitë e edicionit të këtij viti është rikthimi i vallëzuesve shqiptarë të diasporës, disa prej të cilëve, sipas tij, nuk kanë qenë në Kosovë prej më shumë se 15 vitesh, ndërsa për disa të tjerë do të jetë hera e parë që vijnë në Kosovë në rol profesional.
“Prishtina Dance Festival nuk është vetëm për ata që tashmë dinë të vallëzojnë. Është edhe për dikë që nuk ka vallëzuar asnjëherë, por dëshiron të mësojë hapat e parë, të provojë diçka të re dhe të përjetojë një eksperiencë ndryshe”, ka thënë Haxhiislami.
Programi do të përfshijë 13 stile vallëzimi, përfshirë salsën, bachata-n, kizomba-n, cha cha-n, rumbën, afro cuban, dancehall-in, afro mambo-n, son cubano, reggaeton-in, afrobeats, mambo-n dhe boogaloo-n.
Gjatë ditës do të zhvillohen workshope dhe klasa vallëzimi, ndërsa në mbrëmje programi do të vazhdojë me performanca, show, social parties dhe DJ. Festivali do të ketë tri skena dhe hapësira, ku aktivitetet do të zhvillohen paralelisht.
Organizatorët thonë se festivali është i hapur për të gjitha moshat dhe nivelet, përfshirë personat pa përvojë paraprake në vallëzim.
Në program është përfshirë edhe një pjesë e dedikuar për fëmijët e moshës 11 deri në 14 vjeç, me klasa në Hip Hop, Dancehall dhe Salsa.
Prishtina Dance Festival synon të promovojë kryeqytetin si destinacion kulturor dhe turistik, duke krijuar një hapësirë ku kultura, muzika, vallëzimi dhe komunitetet nga Kosova, diaspora dhe vende të ndryshme ndërkombëtare bashkohen.

