Sunday, August 16, 2026
HomeLajmePesë pushues nga Kosova të lënduar nga zjarri në një hotel në...

Pesë pushues nga Kosova të lënduar nga zjarri në një hotel në Vlorë

Pesë pushues nga Kosova janë në mesin e gjashtë personave që kanë mbetur të lënduar nga zjarri që përfshiu gjatë orëve të para të mëngjesit një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë. Një tjetër i lënduar është nga Rrësheni.

Gjendja e një prej të lënduarave raportohet e rëndë. Ajo ka pësuar djegie në pothuajse 100 për qind të sipërfaqes së trupit, ndërsa një pacient tjetër ka djegie në rreth 50 për qind të trupit, transmeton RTSH.

Zjarri dyshohet se ka nisur në katin e parë të hotelit, në ambientet e një restoranti, dhe më pas është përhapur drejt katit të dytë, ku ndodheshin dhomat e pushuesve.

Tymi i dendur dhe flakët shkaktuan panik te pushuesit, ndërsa dy persona që ndodheshin në katin e dytë u detyruan të hidheshin nga ballkoni në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve. Ata kanë pësuar fraktura dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Siç raporton RTSH, të lënduarit janë identifikuar si A. Dyrmishi, 25 vjeç, A. Rexhepi, 27 vjeçe, N. Rexhepi, 25 vjeç, E. Grainca, 20 vjeç, A. K., 30 vjeç dhe L. Saliu, 21 vjeç.

Pas ndihmës së parë në Spitalin e Vlorës, pesë prej të lënduarve janë transportuar drejt Tiranës për trajtim të specializuar. Dy prej tyre janë dërguar në Qendrën e Traumës, për shkak të dëmtimeve të marra nga rënia, ndërsa tre të tjerë në repartin e djegieve në QSUT. Një person tjetër vijon të trajtohet në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës.

Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, tha se stafi mjekësor ishte vënë në gatishmëri pas mbërritjes së të lënduarve.

“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. Tre ishin të djegur rëndë dhe dy ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës”, tha Breshanaj.

Sipas tij, pacientët ishin kryesisht të moshave 25 deri në 30 vjeç dhe vinin nga Prishtina, Lipjani dhe Rrësheni.

Ndërkohë, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, grupi hetimor ka konstatuar se zjarri dyshohet të ketë qenë aksidental.

Sipas Policisë së Shqipërisë, flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi, i cili ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit.

“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram