Tuesday, August 18, 2026
HomeLajmeKosovëLDK-ja refuzon ftesën e Haxhiut, Abdixhiku: Takohemi vetëm me Kurtin

LDK-ja refuzon ftesën e Haxhiut, Abdixhiku: Takohemi vetëm me Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se nuk do t’i përgjigjet ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me liderët e partive politike.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është e gatshme të zhvillojë takime me kryetarët e partive politike, por sipas tij, në rrethanat aktuale, takimi mund të zhvillohet vetëm me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

“Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive. Dhe në këtë rast, takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me zotin Kurti, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje. Në pikëpamjen tonë, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit të Kosovës, njëra nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Dhe në këtë drejtim, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë punë”, ka thënë Abdixhiku në një prononcim për media vendore.

Haxhiu ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ, të paraparë të mbahet të martën në orën 09:00.

Sipas ftesës, takimi synon diskutimin e zhvillimeve aktuale politike dhe institucionale, si dhe gjetjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit konsensual dhe formimin e institucioneve të tjera.

Ftesën e Haxhiut më herët e kanë refuzuar edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të trajtohet vetëm pasi të funksionalizohet Kuvendi. Deputeti i kësaj partie, Arian Tahiri, ka kundërshtuar rolin e Haxhiut në organizimin e takimit, duke argumentuar se ajo aktualisht është deputete.

Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur edhe Aleanca. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se partitë opozitare nuk duhet të fajësohen për refuzimin e takimit, pasi, sipas tij, kërkesa e tyre është e qartë – funksionalizimi i Kuvendit.

Pas refuzimit të PDK-së dhe Aleancës, Haxhiu ka shprehur keqardhje dhe e ka cilësuar vendimin e tyre si të gabuar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram