Një person është plagosur me një mjet të mprehtë gjatë një përleshjeje fizike mes dy personave në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Gjakovës.
Ajo ka bërë të ditur se rreth orës 14:35, përmes linjës telefonike, Policia ka pranuar informacionin nga një qytetar për përleshjen, ndërsa njësitet relevante policore janë përgjigjur menjëherë në thirrje.
“Viktima ka pësuar lëndime trupore, pasi është goditur me një mjet të mprehtë dhe ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar”, ka thënë Krasniqi.
Po ashtu, është sekuestruar mjeti i dyshuar i përdorur gjatë incidentit.
Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lëndim i rëndë trupor” dhe ai është ndaluar për 48 orë.

