Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar inspektimet në treg, me fokus të veçantë te produktet e qumështit që kanë rezultuar me mospërputhje, sipas raportit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Gjatë kontrolleve në terren, inspektorët kanë hasur produkte të cilat janë evidentuar në raportin e AUV-it. Në mesin e produkteve janë:
Schmand VITA, 18% – 180 g
Schmand VITA, 18% – 400 g
Schmand VITA, 18% – 800 g
Mushroom Cream Cheese – 200 g
Mazë tradicionale DRENA – 1 kg
Holla Cooking Cream – 1 L
Qumësht MY COW – 3.2%
Mazë tradicionale MILKET – 800 g
Schmand AJKA – 500 g
IQMT ka zhvilluar gjithashtu riinspektime në disa markete, të cilat ditë më parë ishin urdhëruar të tërhiqnin nga tregu produktet e qumështit të evidentuara si me mospërputhje nga AUV.
Sipas IQMT-së, gjatë riinspektimeve është verifikuar se operatorët ekonomikë kanë respektuar urdhëresat e inspektoratit dhe kanë ndërmarrë masat e kërkuara për tërheqjen e produkteve nga tregu.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë realizuar 23 inspektime në komunat e Gjilanit, Prishtinës, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Podujevës dhe Mitrovicës.
IQMT njofton se kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të raportojnë çdo parregullsi apo produkt të dyshimtë përmes platformës Viber, në numrin e dedikuar për ankesa: +383 (0) 46 311-000.

