Tuesday, August 18, 2026
HomeLajmeKosovëKurti pas takimit me Abdixhikun: Takimi shkoi në atmosferë konstruktive

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Takimi shkoi në atmosferë konstruktive

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit të sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar për media. Ai tha se takimi ishte ekskluzivisht për figurën presidenciale.

“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive dhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim. Shqyrtuam e me diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe. Por në veçanti, sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri, për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara. Është vendim tejet i rëndësishëm dhe është proces shumë i ndjeshëm. Andaj edhe pas këtij takimi kemi nevojë që të kthehemi tek subjektet tona përkatëse politike, ne tek Lëvizja Vetëvendosje dhe delegacioni tjetër tek Lidhja Demokratike e Kosovës, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultime të brendshme dhe të ritakohemi ashtu që të merremi vesh”, tha Kurti pas takimit.

Ai tha se duke besuar që mirëbesimi që kemi në njërën anë, dhe në anën tjetër vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president, duhet të na bëjnë optimistë.

“Tash, e keni parasysh që Republika e Kosovës funksionon me presidenten në detyrë, me qeverinë në detyrë, por natyrisht edhe me deputetët të cilët e kanë dhënë betimin, por së shpejti do të duhet që edhe ta kenë shtëpinë e tyre përkatësisht Kuvendin e Republikës. Por kjo nuk do të jetë e qëndrueshme pa një marrëveshje për president apo presidenten e re, dhe për këtë ne po përpiqemi maksimalisht. Nuk janë në radhë të parë interesat e ngushta, as ambiciet individuale, por përkundrazi kemi vullnet për interes dhe përgjegjësi shtetërore e demokratike, pra për kreun e shtetit, përkatësisht shprehjen e unitetit të popullit që mishërohet me një president apo presidente të re kushtetuese”, tha Kurti.

Për emrat, Kurti tha se sot diskutuan për kriteret, për standardet që duhet t’i ketë figura presidenciale, pra vlerat, parimet dhe kontributet në veçanti.

Për takimet me partitë e tjera, Kurti: tha se ka hasur në refuzimin e subjekteve të tjera. “Ju e dini që kryetari i Aleancës refuzon të takohet me mua, ndërkaq kryetari i PDK-së është takuar një herë. Sidoqoftë, unë i falënderoj për komunikimin që kemi zhvilluar, sepse më duhet ta pranoj që edhe kur nuk kemi takime, ne kemi komunikim. Shumë më mirë do të ishte të kishim takime, sepse kur ka takime ka diskutime që çojnë në marrëveshje. Kjo tashmë nuk varet prej meje, por nëse ka sadopak vullnet nga ana e PDK-së ose AAK-së ose të dyjave për takime, për diskutime, për marrëveshje, unë jam më shumë se sa i gatshëm, i interesuar e i vullnetshëm. Ky takim ishte ekskluzivisht për figurën presidenciale. Edhe një herë po e theksoj: kriteret, parimet, rrethanat në të cilat ndodhemi dhe çfarë figurash me çfarë vlerash, kontribute e merita. Duam president ose presidente meritore, kushtetuese, që reflekton vlerat e shoqërisë sonë, që ka kontribut për popullin e në profesion të caktuar dhe në këtë mënyrë nuk ngjall dilema për rolin, për funksionin dhe për detyrën fisnike që do t’i duhet ta kryejë në 5 vitet e ardhshme”, tha Kurti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram