Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit të sotëm me Kryeministrin në detyrë të Kosovës dhe njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ka vullnet të dyanshëm, për një emër për president të Kosovës.
“Jam i bindur se Kosova ka figura, kërkuam periudhë diskutimi brenda subjekteve, para të sjellim emra”, tha Abdixhiku. Ai tha se në takimet e tjera të sillen emra konkretë. Sipas tij, ka vullnet për të bërë zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën. Abdixhiku bëri me dije se nuk kanë diskutuar për emra konkretë për të qenë kandidat për president. Sipas tij, LDK-ja do të japë kontribut për Kosovën.
“LDK-ja s’kërkon asgjë mbrapa, kërkon vetëm stabilitet institucional, në mënyrë që Kosova të ketë mundësinë e qetësisë së kërkuar, të munguar tash e sa kohë. U dakordualm që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme. Por që në fund të ketë një emër, sepse president s’mund të ketë disa. Meqë po flitet për emra, atëherë duhet të kemi konsultime të brendshme, jo vendime. Sepse vendimi duhet të merret pasi të ketë dakordësi politike për një emër të caktuar. Pra çështja është pak më e komplikuar. S’mund të marrim vendime për një emër e më pas të insistojmë në atë emër, meqenëse në atë moment atëherë ai emër bëhet pozitë partiake, për të cilën nuk jemi të interesuar. Pra fillimisht duhet të ketë dakordësi politike e më pas duhet të ketë vendime individuale”, tha ai.
Sipas tij, para se të flasim për emra publikisht, duhet të flasim me individë të caktuar të cilët mund ta ushtrojnë këtë detyrë ose edhe dojnë ta ushtrojnë këtë detyrë.
“Prandaj nuk është aq e thjeshtë. Ajo çka është e rëndësishme ta kuptoni është se ka vullnet për të bërë një zgjidhje të qëndrueshme për Republikën e Kosovës. Për ne, për LDK-në, është shumë e rëndësishme që të ketë vlera dhe bindje presidenti ose presidentja e ardhshme që e mbron Republikën e Kosovës. Dhe LDK-ja gjithmonë Kosovës i ka dhënë presidentë të jashtëzakonshëm dhe këtë herë do ta bëjë një të tillë”, tha ai.
Duke shtuar se sit s’kanë folur sot për emra konkretë. “Kemi folur për profile, për fusha, për profesione të ndryshme. Asnjë emër i përmendur deri më tash, ose partiak, nuk është pjesë e diskutimeve. Na jepni kohë që të kemi konsultime me shoqërinë tonë në fund të fundit, ah, dhe të brendshme partiake, që të arrijmë një zgjidhje që besojmë se do të jetë më e qëndrueshmja, më e mira, dhe që është shumë e rëndësishme të bëhet sa më parë që është e mundur. Jemi vonuar shumë. Jemi vonuar shumë që çështja e presidentit duhet ta lirojë Kosovën, dhe për këtë çështje LDK-ja do të japë të gjithë kontributin e vet pa kërkuar, pa kërkuar asgjë në kthim përveç stabilitetit”, tha ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se tani jemi afër një qartësie se çfarë po bëjmë. “Pra nuk ka marrëveshje LDK – Lëvizja Vetëvendosje. Ajo çka është e kam bërë, LDK-ja si parti parlamentare me 18 deputetë është pjesë e opozitës dhe është në rolin e vet e funksionin e vet për të zgjedhur një president. Natyrisht se çështja e presidentit rrumbullakohet kur të përcaktohet emri. Mund të pajtohemi për kritere, mund të pajtohemi për vlera, mund të pajtohemi për gjithçka tjetër e mos të pajtohemi për emrin. Por le të përpiqemi të pajtohemi për emra, le të arrijmë një emër të përbashkët në shoqërinë kosovare që na bën krenarë të gjithëve. Duhet të besoj se Kosova ka emra të tillë dhe duhet të gjejmë emra të tillë, por ta bëjmë me kujdes pa e lënduar procesin”, tha ai.
Ai tha LDK-ja vazhdimisht ka kërkuar edhe sot, dhe secilën ditë, që Kuvendi të konstituohet sa më parë.
“Nuk ka pasur asnjë arsye për vonesat e tanishme. Kuvendi është dashur të konstituohet deri më datën 7 gusht, dhe nuk ka asnjë arsye që ky Kuvend vonesat t’i shkojë tutje. Edhe pas konstituimit, siç kam thënë këtu, siç e kam thënë në takim, siç është qëndrimi publik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ne kemi pasur kohë të mjaftueshme për të zhvilluar diskutime për çështjen e presidentit”, tha Abdixhiku.
“Por tani ne s’jemi as bllokues të Kuvendit, ne jemi të interesuar që vendit t’i jepet stabilitet dhe të kemi president. Ky është fokusi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e çdo shkelës i Kushtetutës duhet të mbajë përgjegjësi ata që e shkelin Kushtetutën në Republikën e Kosovës. Më shumë se sa koha, jam i interesuar ta gjejmë marrëveshjen për një emër”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

