Wednesday, August 19, 2026
HomeEkonomiSHIQK kërkon nga AUV dokumentacionin për masat ndaj produkteve me vaj palme:...

SHIQK kërkon nga AUV dokumentacionin për masat ndaj produkteve me vaj palme: Paralajmëron edhe hapa ligjorë

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) i ka dërguar Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë (AUV) një kërkesë urgjente për qasje në dokumentacion dhe sqarim të bazës ligjore të masave të ndërmarra ndaj produkteve që përmbajnë yndyrë bimore, vaj palme dhe qumësht pluhur.

Në shkresë, SHIQK thotë se i mbështet kontrollet për sigurinë ushqimore, deklarimin e saktë të përbërjes dhe mbrojtjen e konsumatorit, por kërkon që çdo kufizim i aktivitetit ekonomik, ndalim i prodhimit apo tërheqje e produkteve nga tregu të ketë bazë të qartë ligjore, të mbështetet në analiza dhe të jetë proporcional.

Shoqata kërkon nga AUV kopjen e vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të 28 prillit 2026, mbi bazën e të cilit, sipas SHIQK-së, janë zbatuar kontrolle të shtuara ndaj produkteve që përmbajnë qumësht pluhur dhe/ose vaj palme.

Po ashtu, kërkohen të gjitha vendimet, urdhrat dhe udhëzimet me të cilat masat janë vazhduar, ndryshuar ose zgjatur pas përfundimit të periudhës fillestare 90-ditore të publikuar nga AUV.

Një pjesë e rëndësishme e kërkesës lidhet me atë që SHIQK e quan nevojë për sqarim të bazës juridike të “pëlqimit”, “aprovimit” apo “autorizimit” për përdorimin e yndyrës bimore, vajit të palmës dhe/ose qumështit pluhur. Shoqata kërkon që të bëhet e qartë nëse këto janë kushte administrative dhe mbi cilën dispozitë ligjore mbështeten.

SHIQK kërkon gjithashtu që për secilin operator të prekur të vihen në dispozicion procesverbalet e inspektimit, vendimet për masat urgjente dhe përfundimtare, raportet e marrjes së mostrave, rezultatet laboratorike, metodat e testimit, laboratorët që kanë kryer analizat, statusi i akreditimit, produkti konkret, LOT-i, sasia dhe data e prodhimit.

Në shkresë kërkohet edhe sqarim nëse masat janë ndërmarrë për shkak të rrezikut për sigurinë ushqimore, mospërputhjes së etiketimit, përdorimit të një emërtimi të rezervuar për produktet e qumështit, pranisë së yndyrës bimore të padeklaruar apo mungesës së një pëlqimi administrativ.

Një tjetër kërkesë është që AUV të publikojë ose t’i vërë në dispozicion SHIQK-së analizën dhe vlerësimin e rrezikut mbi të cilat janë bazuar masat, si dhe të shpjegojë pse janë konsideruar të nevojshme masat e ndërmarra dhe pse nuk janë përdorur masa më pak kufizuese, si korrigjimi i etiketës, izolimi i një LOT-i konkret apo kufizimi i përkohshëm i vetëm produktit jo-konform.

SHIQK kërkon edhe informacion për produktet e importuara që përmbajnë yndyrë bimore ose vaj palme dhe nëse ato i janë nënshtruar të njëjtit regjim kontrolli, ndalimi apo tërheqjeje si produktet vendore.

Kërkohet rishqyrtim i menjëhershëm

Shoqata kërkon nga AUV që të rishqyrtojë menjëherë masat e përgjithshme ose individuale që ndalojnë prodhimin apo largojnë nga tregu produkte për të cilat, sipas saj, nuk është konstatuar me vendim individual, analizë konkrete dhe LOT të identifikuar ndonjë rrezik për sigurinë ushqimore, deklarim i pasaktë apo shkelje tjetër e përcaktuar qartë me ligj.

SHIQK kundërshton veçanërisht kushtëzimin e vazhdimit të aktivitetit ekonomik me një “pëlqim” ose “autorizim” për të cilin, sipas saj, nuk është e qartë baza ligjore, procedura, kriteret dhe efekti juridik.

Paralajmërohen edhe hapa ligjorë

Në shkresë, SHIQK rezervon të drejtën për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm juridikë, përfshirë ankesat administrative dhe inicimin e konfliktit administrativ.

Shoqata thotë se operatorët e prekur po evidentojnë dëme të drejtpërdrejta dhe fitim të humbur duke përfshirë kthimin e mallrave, asgjësimet ose skadimin e produkteve, ndërprerjen e prodhimit, shpenzimet shtesë dhe humbjen e porosive e kontratave.

SHIQK i ka kërkuar AUV-së që dokumentet dhe përgjigjja e arsyetuar të dorëzohen pa vonesë dhe, për dokumentet publike, brenda afatit ligjor prej shtatë ditësh.

Në fund, për shkak të dëmit ekonomik që, sipas saj, po krijohet çdo ditë, SHIQK kërkon edhe një takim urgjent me AUV-në pas dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar. /Kosovatimes/

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram