Jill Biden , bashkëshortja e ish-presidentit amerikan Joe Biden , ka folur hapur për kohën e vështirë emocionale që po kalojnë ajo dhe bashkëshorti i saj, pasi ai u diagnostikua me kancer vitin e kaluar.Ish-zonja e parë, e cila është 75 vjeç, u shfaq në emisionin “The Jaime Kern Lima Show”, ku foli për mënyrën se si po përballet me sëmundjen e ish-presidentit amerikan. Kanceri i prostatës është përhapur që atëherë në kockat e tij.
Ndërsa të dy përballen me mundësinë e vdekjes së tij, Jill thotë se përpiqet të mos lejojë që mendimet e errëta dhe të padobishme ta pushtojnë.
«Sigurisht që kam frikë», tha Jill. «Para së gjithash, ai është pothuajse dhjetë vjet më i madh se unë. Dhe kur të godet një sëmundje… thjesht nuk mund t’i lësh mendimet e tua të shkojnë në atë drejtim.»
«Nuk mund ta imagjinosh jetën pa atë person. Por e di që do të vdesë – ashtu siç e di që do të vdes edhe unë», vazhdoi ajo. «Thjesht e pranon pak a shumë.»
Sipas Jill, Joe tregoi se ishte “i fortë” dhe “i qëndrueshëm” pas diagnozës. Ai nuk i foli asaj për frikërat e tij dhe ajo nuk e priste që ai ta bënte këtë.
“Ai ka qenë gjithmonë shtylla e familjes sonë,” tha ajo.
Ata nuk duan të përqendrohen te vuajtja.
Edhe pse gjendja e tij shëndetësore është shoqëruar me shumë emocione të vështira, Jill thotë se ajo dhe burri i saj nuk duan të përqendrohen te vuajtja. Në vend të kësaj, ata kanë zgjedhur të vlerësojnë kohën që u ka mbetur.
“Nuk mund ta shohim jetën në atë mënyrë… E shohim sikur, ‘Joe ka kancer. Ai do të vdesë, kështu që le ta shfrytëzojmë sa më shumë çdo moment që kemi'”, tha Jill.
“Le të jemi bashkë… le të gjejmë atë që na bën të lumtur. Le ta bëjmë këtë një udhëtim pozitiv, jo negativ. Sepse si mund të jetosh me një barrë të tillë çdo ditë?” shtoi ajo. “Nuk mundesh. Është shumë e rëndë.”
Deklaratat e Jill vijnë pasi zyra e ish-presidentit njoftoi në maj 2025 se ai ishte diagnostikuar me kancer “agresiv” të prostatës, në fazën e pestë, i cili ishte përhapur në kocka.
Gati një vit pasi u njoftua diagnoza, Jill ka dhënë informacione të reja rreth shëndetit të bashkëshortit të saj. Duke u shfaqur në emisionin Today të hënën, më 1 qershor, ajo tha se ish-presidenti, pavarësisht kancerit të prostatës në fazën e katërt, “është mirë”. Megjithatë, ajo shtoi se fakti që sëmundja është përhapur në kockat e tij “e ndryshon plotësisht pamjen”.
“Mendoj se Joe do të jetojë me kancer për pjesën tjetër të jetës së tij,” tha Jill.

