Saturday, August 22, 2026
HomeGjeopolitikOpinionGazetaria e fortë nuk matet me decibelët e zërit! Arjan, e teprove...

Gazetaria e fortë nuk matet me decibelët e zërit! Arjan, e teprove me Kryeministrin në Vuno!

Nga Vladimir Muçaj

Përplasja” e gazetarit Arjan Konomi me kryeministrin Edi Rama në Vuno, këto dy ditë, ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, televizioneve dhe portaleve. Një episod i vogël veror, por që, siç ndodh rëndom në Shqipëri, është kthyer në një ngjarje të madhe publike.

Edi Rama, bashkë me bashkëshorten Linda dhe djalin Zaho, ndodheshin në një tavolinë lokali në Vuno. Në një moment shfaqet Arjan Konomi pranë tyre, duke ngritur shqetësimin për makinat e parkuara, sipas tij në kundërshtim me rregullat. Deri këtu, një qytetar apo gazetar që ngre një shqetësim publik nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi.

Madje Konomi u ofron edhe fiq nga Vunoi.

Tani, le t’i themi gjërat ftohtë, pa bërë avokatin e askujt.

Personalisht, Arjanin e njoh nga afër dhe e vlerësoj për angazhimet e tij publike, si gazetar dhe opinionist në ekran. Kryeministrin, siç e njohin të gjithë, e njoh kryesisht përmes ekraneve dhe mediave, por edhe për faktin se profesioni im si gazetar më ka sjellë, në raste sporadike, ta takoj apo të jem pjesë e paneleve televizive ku ai ka qenë i pranishëm.

Prandaj, duke u nisur vetëm nga ajo që kemi parë dhe jo nga simpati apo antipati politike, mendoj se në këtë rast Arjan Konomi e ka provokuar situatën.

Të provokosh nuk është ndonjë gjë e vështirë. Sidomos në politikë dhe në media. Por të provokosh në mënyrë brutale, duke e kthyer një shqetësim real në një skenë publike, është tjetër gjë.

Rama ishte në Vuno për të kaluar kohë me familjen e tij. Konomi, në atë moment, u shfaq në rolin e “pronarit të rrugës”, duke i kërkuar llogari kryeministrit për makinat dhe mënyrën e parkimit, sikur Rama të ishte vetë përgjegjësi i çdo automjeti të eskortës.

Dhe këtu, për mua, fillon teprimi.

Nuk është problem të kritikosh kryeministrin. Përkundrazi, është detyrë e gazetarit të pyesë, të kritikojë dhe të kërkojë llogari. Por mënyra si e bën këtë është po aq e rëndësishme sa vetë kritika.

Nëse Konomi do ta kishte pranuar ftesën e Ramës për t’u ulur në tavolinë dhe, qetësisht, mbi një kafe, t’i kishte thënë rezervat, shqetësimet apo kritikat e tij, ndoshta do të kishim parë një skenë krejt tjetër. Më njerëzore, më qytetare dhe, pse jo, më interesante.

Por ngritja e zërit për makinat e parkuara, përballë një tavoline ku kryeministri ndodhej me familjen, dhe më pas edhe ofrimi i qeses me fiq, më ngjan më shumë si një përpjekje për ta kthyer momentin në spektakël sesa si një debat real për rregullat e parkimit.

Në një farë mënyre, fiqtë e Vunoit u bënë edhe “qershia mbi tortë” e kësaj historie.

Dhe pikërisht këtu mendoj se Konomi e teproi.

Po ta shohim edhe nga një kënd tjetër: një gazetar mund ta sfidojë pushtetin pa e poshtëruar atë. Mund ta kritikojë kryeministrin pa e kthyer çdo takim në një skenë për protagonizëm. Dhe mund t’i thotë “ke gabuar” edhe Edi Ramës, pa pasur nevojë ta ngrejë zërin.

Madje, personalisht, si gazetar, në editorialet e mia kam publikuar hapur si mbështetjen time për Edi Ramën, ashtu edhe kritikat ndaj tij, sipas këndvështrimit tim. Dhe po të lexohen në kohë, kritikat e mia janë të shumta, në tema dhe detaje të ndryshme, e në disa raste shumë më të hershme se shfaqja e kritikave publike të Konomit ndaj kryeministrit.

Pra, të mbështesësh dikë në një çështje nuk do të thotë të jesh avokat i tij. Dhe ta kritikosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh më i guximshëm se të tjerët.

Në fund të fundit, kjo histori nuk ka nevojë për tifozëri.

Nuk mendoj se Edi Rama doli viktimë nga kjo përplasje. Kryeministri është figurë publike, është mësuar me kritikat dhe, mbi të gjitha, ka pushtetin për të dhënë llogari për shumë më tepër sesa një makinë të parkuar në Vuno.

Por as Arjan Konomi nuk kishte nevojë ta kthente një shqetësim të mundshëm qytetar në një spektakël të vogël veror.

Sepse gazetaria e fortë nuk matet me decibelët e zërit.

Matet me argumentin.

Dhe tani mbetet vetëm një pyetje, ndoshta pak e sikletshme:

Nëse rolet do të ishin ndërruar, nëse Arjan Konomi do të ishte kryeministër dhe Edi Rama një banor i thjeshtë i Vunoit, a do ta shihnim të njëjtën skenë dhe të njëjtin reagim?

Nuk e di.

Por pikërisht kjo pyetje më bën të mendoj se, këtë herë, Arjan Konomi e teproi me mënyrën se si zgjodhi ta bëjë kritikën e tij.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram