Nga Ymer Hysa.
Përpos punës time kryesore profesionale 40-vjeçare në profesionin e Mjekut Veteriner, kam ushtruar edhe profesionin e ëndërruar, por edhe të ralizuar si Gazetar. Shpesherë jam munduar aty ku kam patur mundësi edhe ti harmonizoj, veçanërisht aty ku ato ndërthuren kaq bukur siç janë Agroturizmi Shqiptar që sot është kthyer në trendi dhe në temë të ditës.
Kam shkruar e publikuar në rrjetet sociale, por edhe në gazeta për agroturizmin e zukseshëm në Razem, Theth, Bogë, Tropojë, Mat, Mrizi i Zanave në Fishtë, Sarisalltik në Krujë, Qafshtamë, “Ukafarm” në Laknas, për agroturizmin në Kuç, Shelegur, Voskpojë, Boboshticë, Gjorëm dhe Skuraj Kurbin, Katundi i vjeter dhe Perlat në Mirditë dhe kudo që më ka shkelur këmba Jug Veri, nëpër Shqipëri.
Sipas ligjit zhvillimi i agroturizmit kërkon edhe fermat blegtorale ku mbarështrohen bagëti të të gjitha llojeve si kafshë, shpend, etj. Po a është e mjaftueshme vetëm ferma e tyre për plotësimin e nevojave me mish, produkte të qumështit, etj?
Do të isha hipokrit nëse do thoja po. Plotësimi i nevojave për mish dhe bylmetra është i lidhur pazgjidhshmêrisht me dy mundësi të tjera, me kontrata me fermerët dhe me furnizimin nga importi.
Klientela e dallon sapo ta shijoje, le ta gatuaj sado mire guzhinieri se është mish vëndas apo i importit.
Këto 10 vitet e fundit numri i bagëtive ka rënë pothuajse pesë herë. Zonat rurale që mbarështronin bagëti të imta janë bragtisur. Edhe ato pak familje që kan mbetur janë me pleq që skanë asnjë mundësi ti mbarështrojnë ose edhe ata familje që kanë të rinj nuk i mbajnë bagëtitë se duan të bëjnë jetë qytetare në fshat, nuk e durojnë dot erën e bagëtive.
Por gjithsesi le ti kthehem pyetjes që shtova si titull. Ndikimi i agroturizmit në blegtori.
Për mendimin tim agroturizmi ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e blegtorisë shqiptare dhe do të dëshiroja të ishte kryesisht në mënyrë pozitive.
Kuptohet se ai rrit fuqishëm kërkesën për produkte blegtorale si mish dhe produkte të qumështit si djathë, kos gjal, gjizë dhe produkte të tjera tradicionale.
Nëse duhet ta vlerësojmë dhe ta shohim pozitivisht ai krijon treg për fermerët vendas, duke u dhënë mundësi të shesin produktet direkt jo vetëm te resortet apo strukturat agroturistike, por edhe direkt te turistët, apo klientët.
Agroturizmi pa dyshim nxit edhe përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe standardeve të higjienës së fermave dhe përpunimit të produkteve blegtorale .
Mbi të gjitha shton të ardhurat e familjeve rurale, duke e kombinuar blegtorinë me aktivitetet turistike.
Një impakt pozitiv ka edhe në ndihmesën që jep në ruajtjen e racave autoktone dhe traditave, pasi produktet tradicionale bëhen pjesë e ofertës turistike.
Përveç sa më sipër zhvillimi i agroturizmit krijon vende pune dhe frenon largimin e popullsisë nga zonat rurale.
Por përveç zhvillimit pozitiv, ndikimi i tij mund të jetë edhe negativ nëse rritet kërkesa pa u shoqëruar me investime. Mund të ketë rritje të kostove, presion mbi burimet natyrore ose ulje të cilësisë nëse fermerët përpiqen të prodhojnë më shumë pa standarde të përshtatshme.
Mendoj se agroturizmi dhe blegtoria mund të zhvillohen sëbashku e të mbajnë gjallë njëra tjetrën. Blegtoria furnizon agroturizmin me produkte autentike, ndërsa agroturizmi krijon një treg më të sigurt dhe më fitimprurës për blegtorët.
Githsesi jemi akoma larg një konkluzioni përfundimtar. Fitimi i çastit dhe shtimi me ritme të shpejta i strukturave agroturistike dhe pa kritere se sa kapacitete ka ky vend për furnizim, frikë kam se së afëmi do ti kthejë në kafe fshati. Ndaj urgjentisht kërkohet të ndërhyhet me politika ekonomike për mbështetjen e fermerëve në zonat rurale përmes subvencioneve, grandeve dhe kredive të buta duke ulur në maksimum numrin e krërëve që suvencionohen dhe shtuar vlerën e subvencionimit për krerë.

