Saturday, August 22, 2026
HomeLajmeKosovëBerisha: Demokratët të bëhen pjesë e protestave në shtator

Berisha: Demokratët të bëhen pjesë e protestave në shtator

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi sot demokratët që të bëhen pjesë e protestave qytetare në muajin shtator, me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe realizimin e zgjedhjeve të lira.

Në një komunikim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se heroizmi dhe sakrifica e të gjithë atyre që prej mbi 80 ditë mbajnë me guxim dhe energji të madhe protestën kundër Edi Ramës, duhet të frymëzojë sot çdo shqiptar.

“Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje demokratëve dhe demokrateve të Tiranës, por edhe mbarë Shqipërisë, por në veçanti të Tiranës, që të shndërrojnë shtatorin me pjesëmarrjen e tyre në protestën qytetare në muajin e goditjes vendimtare të regjimit antishqiptar dhe të shkojmë si një komb drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai.

Sipas Berishës duhet të bëhet ajo që realizon Kosova në mënyrë të përsëritur.

“Ne jemi kombi i vetëm në rajon së bashku me serbët që zgjedhjet i grabisin diktatorët.
Le të jetë shtatori muaji që të ndahemi përfundimisht nga kjo diktaturë”, tha ai.

Berisha tha se asgjë nuk mund t’a ndryshojë qëndrimin e tij në mbështetje të protestës.
“Kjo protestë nuk është thirrur nga PD, por nga data 3 qershor ajo është mbështetur fuqimisht nga PD. Të gjitha pretendimet se PD do ta përçajë apo po e përçan, se PD po e përthith, të gjitha u faktuan mashtrime, trillime të kundërshtarëve të PD”, tha ai.

I pyetur nëse do t’i bashkohet protestës, Berisha tha se “për sa kohë protesta të ketë karakterin qytetar, unë gjykoj se nuk duhet të dal për arsye se kjo do kuptohej si një përpjekje për partizimin e protestës, çka unë e mbështes plotësisht si protestë rinore qytetare”.

Gjatë këtij komunikimi, Berisha foli edhe për mbledhjen ditën e enjte të Këshillit Kombëtar ku PD do vendosë në epiqendër anëtarin e saj.

Ai tha se Këshilli mblidhet për të caktuar veprimtarinë dhe qëndrimet e mëtejshme të PD në përputhje me direktivat e Kuvendit të saj. “I gjithë përqendrimi i kësaj force politike do jetë tek anëtari i thjeshtë. Si të komunikohet më shumë dhe më mirë me të. Si të zgjerohet hapësira e tij për kontributin e tij. Si të ripërtërihemi. Në qoftë se u ripërtërinë forumet, kjo duhet të përcillet në të gjitha nivelet. Ripërtëritja duhet parë si një kusht i ekzistencës tonë”, deklaroi kreu i PD-së.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram