Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha priti sot në Tiranë, drejtuesit e institucioneve dhe të zgjedhurit shqiptarë në Luginën e Preshevës, deputetin Shaip Kamberi, kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Ministri Hoxha thekson se gjatë takimit u zhvillua një bisedë e drejtpërdrejtë, përmbajtësore, për çështjet që na bashkojnë dhe që kërkojnë bashkërendim të vazhdueshëm: mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen e identitetit dhe forcimin e përfaqësimit të tyre me fuqi reale në jetën politike dhe institucionale të Serbisë, si dhe adresimin e nevojave konkrete të qytetarëve të Luginës.
“Përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë nuk janë çështje episodike. Ato kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret”, shkroi në rrjetin social X, Ministri i Jashtëm.
Të drejtat e shqiptarëve, sipas Ministrit, mbeten një nga përparësitë e qëndrueshme të aksionit tonë diplomatik.
Hoxha nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me angazhim dhe dialog.

