Ka ndërruar jetë polici nga Malisheva, Altin Kryeziu, i cili ditë më parë ishte aksidentuar gjatë kryerjes së detyrës.
Kryeziu, prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e lëndimeve të marra në aksident. Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët.
Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e 16 gushtit, ku përveç zyrtarit policor, të lënduar kanë qenë edhe katër persona të tjerë. Në aksident ishin të përfshirë katër automjete.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur ngushëllime për familjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Altin Kryeziu, i cili ndërroi jetë pas plagëve të marra në një aksident të ndodhur ditë më parë në krye të detyrës.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Kastrati ka thënë se vdekja e Kryeziut është një humbje e madhe për familjen e tij, por edhe për Policinë e Kosovës.
“Humbja e Altinit është një dhimbje e madhe për familjen dhe një humbje për institucionin e Policisë së Kosovës, të cilit ai i shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm”, ka shkruar Kastrati.

