Një grua ka ndërruar jetë pasi është plagosur me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës, ndërsa bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur të dielën mbrëma, rreth orës 23:20, kur njësitë policore janë njoftuar për plagosje me armë zjarri.
“Në vendin e ngjarjes, në një dhomë gjumi, policia ka gjetur të plagosur dy persona, një çift bashkëshortor. Të dyve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Rreth orës 01:10 policia është njoftuar nga QKUK-ja se gruaja, e moshës madhore, ka ndërruar jetë”, ka njoftuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Ajo ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.

