Tuesday, August 25, 2026
HomeLajmeKosovëProkuroria jep detaje pë rastin në Malishevë, bashkëshorti i dyshuar për vrasje

Prokuroria jep detaje pë rastin në Malishevë, bashkëshorti i dyshuar për vrasje

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje lidhur me rastin që ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Komunës së Malishevës, ku një grua ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit, teksa i dyshuar është bashkëshorti i saj.

Sipas prokurorisë, i dyshuari, po ashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas njoftimit nga QKUK, i njëjti është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

“Prokurori i Shtetit, ka dal në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për kryerjen e autopsi. Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave relevante”, thuhet tutje në njoftim të prokurorisë.

QKUK jep detaje për rastin tragjik në Malishevë ku humbi jetën një grua 25-vjeçe

(Plotësuar, 9:35) Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dhënë detaje për dy personat që janë pranuar gjatë natës në Qendrën Emergjente, pas plagosjes me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës.

Sipas njoftimit të QKUK-së, më 24 gusht, rreth orës 00:15, në Qendrën Emergjente janë pranuar një grua 25-vjeçare dhe një burrë 26-vjeçar, të cilët, sipas të dhënave fillestare, kanë ardhur nga rajoni i Malishevës.

Sipas njoftimit të QKUK-së, gruaja 25-vjeçare (shtatzënë) ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, ndërsa kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Ndërkaq, 26-vjeçari është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe po merr trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Sipas QKUK-së, gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku në një dhomë gjumi janë gjetur të plagosur një çift bashkëshortor.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet lidhur me rrethanat e ngjarjes janë duke vazhduar.

Një grua vdes në QKUK pasi ishte plagosur në Malishevë, edhe burri i plagosur

Një grua ka ndërruar jetë pasi është plagosur me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës, ndërsa bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur të dielën mbrëma, rreth orës 23:20, kur njësitë policore janë njoftuar për plagosje me armë zjarri.

“Në vendin e ngjarjes, në një dhomë gjumi, policia ka gjetur të plagosur dy persona, një çift bashkëshortor. Të dyve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Rreth orës 01:10 policia është njoftuar nga QKUK-ja se gruaja, e moshës madhore, ka ndërruar jetë”, ka njoftuar për RTKlive zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Ajo ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram