Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, në konferencën për media të Grupit Parlamentar të Aleancës, ka kritikuar Qeverinë për, siç tha ajo, mungesën e buxhetit për komunat dhe problemet në arsim.
Haxhiu tha se komunat po detyrohen të mbulojnë pagat e mësimdhënësve, ndërsa mjetet që do të mund të përdoreshin për investime kapitale po shkojnë për paga.
“Buxheti që do të duhej të shkonte në investime kapitale duke investuar në infrastrukturë shkollore shkon në pagat e mësimdhënësve”, tha Haxhiu.
Ajo kritikoi edhe mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore, duke thënë se prindërit po përballen me kosto shtesë.
“Klasa e parë i ka 63 euro e 87 centë, kurse 60 euro janë subvencionim”, deklaroi Haxhiu, ndërsa për klasën e gjashtë tha se kostoja është 105.80 euro, kundrejt 90 eurove subvencionim.
Sipas saj, në subvencionim nuk janë përfshirë lëndët zgjedhore dhe fletoret e punës.
“Kam mjaft faturat e tjera, kam fakte pra që sa kushton çmimi i librave, sa është subvencionimi, por gjithkund nuk janë të përfshira edhe lëndët zgjedhore”, tha ajo.
Haxhiu foli edhe për një komision hetimor të legjislaturave të kaluara, duke thënë se raporti i tij është dërguar në Prokurori, por se nuk kanë informacione për ecurinë e procesit.
“Ky komision është ngritur me shumë argumente, ka shumë fakte, por nuk jemi ende të informuar se ku është procesi”, deklaroi Haxhiu.
Në fund të konferencës, ajo tha se Aleanca do të vazhdojë të ngrejë, siç u shpreh, çështjet dhe shkeljet që i konsideron problematike.
“Ka shumë shkelje të tjera, ka shumë gjëra që ne do t’i ngremë në vazhdimësi”, tha Haxhiu.

