Malisheva ka shënuar fitore të thellë 3-0 ndaj Feronikelit 74, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra e Malishevës e ka kontrolluar ndeshjen që nga fillimi dhe pjesën e parë e ka mbyllur me epërsi prej dy golash.
Kreshnik Uka e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e dhjetë, ndërsa Laurent Xhylani ka realizuar nga penalltia në minutën e njëzet e katërt, për 2-0.
Malisheva vazhdoi me ritëm të lartë edhe pas pushimit. Në minutën e pesëdhjetë e pestë, Uka ka shënuar sërish për ta çuar rezultatin në 3-0 dhe për t’i dhënë fund dilemave për fituesin.
Me këtë fitore, Malisheva forcon pozitën në krye të tabelës së Superligës së Kosovës. Pas tri xhirove, Malisheva ka shtatë pikë, një më shumë se Gjilani dhe Ballkani, që renditen në pozitat e dyta dhe të treta.

