Drita ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire ndaj Vushtrrisë, duke triumfuar me rezultat minimal 1:0.
Ndeshja ka nisur me raste nga të dyja skuadrat, por pjesa e parë është mbyllur pa gola.
Rastin më të mirë në dyzet e pesë minutat e parë e ka pasur Igball Jashari i Dritës. Mesfushori i kampiones në fuqi ka pasur një mundësi të mirë pranë fundit të pjesës së parë, por goditja e tij nga afërsia ka përfunduar mbi portë.
Pjesa e parë është shoqëruar edhe me tensione në tribuna. Ndeshja është ndërprerë për rreth dhjetë minuta pas përplasjeve mes tifozëve të Vushtrrisë dhe Dritës.
Situata është qetësuar pas intervenimit të Policisë së Kosovës, ndërsa më pas ndeshja ka vazhduar normalisht.
Në pjesën e dytë, Drita ka arritur ta gjejë golin e fitores. Trembëdhjetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Arb Manaj ka përfituar nga një top në ajër dhe me një goditje të saktë me kokë e ka mposhtur portierin kundërshtar për rezultatin 1:0.
Situata për Vushtrrinë është vështirësuar edhe më shumë në minutën e tetëdhjetë e një, kur Ibrisagic është përjashtuar nga loja pas kartonit të dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën vendase me një lojtar më pak.
Drita arriti ta ruajë epërsinë deri në fund dhe të marrë tri pikë të rëndësishme në kampionat.
Aktualisht tabela e Superligës së Kosovës bashkekryesohet nga Malisheva dhe Gjilani, që kanë nga shtatë pikë. Drita gjendet në vendin e tretë me gjashtë pikë.

