Wednesday, October 28, 2026
HomeLajmeKosovëSeanca ndaj Endrit Nikës ndërpritet për shkak të përkthimit

Seanca ndaj Endrit Nikës ndërpritet për shkak të përkthimit

Seanca ndaj Endrit Nikës, i cili ka lindur dhe është rritur në Zvicër, u ndërpre për 15 minuta për shkak të çështjes së përkthimit.

Avokati i tij, Tomë Gashi, kërkoi që shqyrtimi të ndërpritet deri në sigurimin e një përkthyesi që e njeh dialektin gjerman të përdorur në Zvicër.

“Nuk janë krijuar kushtet kryesore për të vazhduar shqyrtimin gjyqësor, për shkak se gjykata nuk ka arritur t’i sigurojë përkthyes adekuat Nikës nga gjuha gjermane, dialekti që përdoret në Zvicër”, tha Gashi.

Sipas tij, Nika gjatë gjithë jetës ka folur dialektin zviceran të gjermanishtes dhe, për këtë arsye, disa shprehje të përdorura nga përkthyesi nuk janë kuptuar plotësisht nga ai.

Por, gjyqtari Gazmend Bahtiri tha se gjykata e kishte pasur parasysh faktin se Nika është lindur dhe rritur në Zvicër.

Sipas gjyqtarit, që nga fillimi i procedurës, Nika ishte njoftuar se procesi do të zhvillohej në gjuhën shqipe dhe kishte deklaruar se e kupton këtë gjuhë dhe se nuk ka nevojë për përkthim.

“Edhe në seancën e shqyrtimit fillestar, kur i është lexuar aktakuza, i njëjti ka deklaruar se e kupton gjuhën shqipe dhe se nuk ka nevojë për përkthim. Edhe në gjykimin e parë, i njëjti nuk ka kërkuar që t’i caktohet përkthyes dhe ka pranuar që mbrojtjen ta bëjë në gjuhën shqipe”, tha Bahtiri.

Përkthyesi i angazhuar, Amer Krasniqi, sqaroi në seancë se është i licencuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për përkthim shqip-gjermanisht dhe anasjelltas, por se nuk e njeh dialektin zviceran të gjermanishtes.

“Unë jam i licencuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për shqip-gjermanisht dhe anasjelltas. Sa e di unë, KGJK-ja nuk licencon përkthyes për gjuhën zvicerane apo austriake. Unë nuk e kuptoj dialektin zviceran”, tha Krasniqi.

I pyetur nga gjyqtari nëse e ka kuptuar procesin gjyqësor, Nika ka deklaruar se shumicën e kohës e ka kuptuar procesin, por se nuk ka arritur të kuptojë disa fjalë të caktuara gjatë të shprehurit.

Për këtë arsye, seanca u ndërpre për 15 minuta, me qëllim që të konsultohet KGJK-ja nëse mund të sigurohet një përkthyes që e njeh dialektin gjerman të përdorur në Zvicër.

Ndërkohë, në seancë, prokurori Armend Hamiti deklaroi se Prokuroria synon të dëshmojë përtej dyshimit të bazuar se Nika e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri Endrit Nika e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë me këtë aktakuzë”, tha Hamiti.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Betim Shala, deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe pret që të vërtetohet fajësia e të pandehurit.

Në seancë mungon dëshmitari Ismajl Nika, i cili ndodhet jashtë vendit.

Ndërkaq, si dëshmitarë janë të ftuar Ibadete Kryeziu, Rrezarta Kryeziu dhe Fehmi Zabeli.

Nis rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij

Ka nisur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë rigjykimi i Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij, Maria Clara Urdangaray.

Çështja është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila ka aprovuar si të bazuar ankesën e mbrojtjes së Nikës dhe ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.

Vendimi i Apelit është përpiluar më 30 korrik 2026, ndërsa është bërë publik më 7 gusht.

Më 19 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Nikën fajtor për veprën penale të “vrasjes së rëndë” dhe e kishte dënuar me 18 vjet burgim.

Sipas vendimit të Apelit, ankesa e mbrojtësit të Nikës, avokatit Tomë Gashi, është aprovuar si e bazuar, ndërsa aktgjykimi i Departamentit për Krime të Rënda, i 19 shkurtit, është anuluar dhe çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Ndërkaq, ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar lidhur me vendimin për dënimin, sipas raportimeve që kanë publikuar pjesë të vendimit të Apelit, janë konsideruar për momentin të parëndësishme për shqyrtim.

Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me Maria Clara Urdangaray, kishte ushtruar dhunë ndaj saj fillimisht në parkingun e hotelit “Sonoma” në Fushë Kosovë dhe më pas, sipas aktakuzës, kishte vazhduar përleshjen në dhomën e hotelit.

Prokuroria pretendon se Urdangaray ishte shtyrë dhe goditur deri në cep të dhomës, ku nuk kishte mundësi të largohej, dhe se më pas ishte nxjerrë korniza e dritares, duke bërë që ajo të binte nga kati i gjashtë.

Maria Clara Urdangaray kishte pësuar lëndime të rënda nga rënia dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram