Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka përcjellë komunave Qarkoren Informuese për mbrojtjen e brezit të rrugëve publike, me qëllim të zbatimit të njëtrajtshëm të Ligjit nr. 08/L-275 për Rrugët.
Përmes kësaj qarkoreje MIT ka kërkuar që, gjatë shqyrtimit të kërkesave për leje ndërtimore, komunat të verifikojnë kategorinë e rrugës dhe distancat e përcaktuara me ligj, si dhe të mos lëshojnë leje që bien ndesh me kufizimet për brezin rrugor dhe brezin mbrojtës rrugor.
Ministria ka kërkuar gjithashtu se në rastet e përcaktuara me ligj, leja ndërtimore nuk duhet të procedohet pa pëlqimin paraprak të organit kompetent.
“Qarkorja duhet t’u përcillet njësive përgjegjëse komunale, ndërsa komunat duhet të koordinohen me MIT-in për rastet që prekin rrugët nën përgjegjësinë e Ministrisë”, thuhet në njoftim.
Sipas MIT-it, respektimi i këtyre dispozitave është i domosdoshëm për mbrojtjen e infrastrukturës publike, sigurinë në komunikacion dhe parandalimin e ndërtimeve në kundërshtim me ligjin.

