Tuesday, September 1, 2026
HomeLajmeKosovëÇeku viziton SBASHK-un në ditën e parë të vitit të ri shkollor

Çeku viziton SBASHK-un në ditën e parë të vitit të ri shkollor

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka vizituar sot Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Çeku, i shoqëruar nga zëvendësministri Përparim Kryeziu, është pritur nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i Përgjithshëm, Ymer Ymeri.

Sipas njoftimit të SBASHK-ut, ministri Çeku uroi mësimdhënësit, nxënësit dhe stafin arsimor për fillimin e vitit të ri shkollor, duke thënë se institucionet janë të vetëdijshme për pritjet e mësimdhënësve.

“Ekziston një pritje te mësimdhënësit dhe jemi të vetëdijshëm për këtë çështje. Unë, zëvendësministri, por edhe e gjithë qeveria jemi të përgatitur për një angazhim të përbashkët”, tha Çeku.

Sa i përket teksteve shkollore, ai tha se është punuar për konsolidimin e sistemit të furnizimit, për shkak të problematikave të viteve të kaluara.

“Me negocimin e çmimeve, gjithmonë duke u munduar ta ruajmë buxhetin, me katalogun që e kemi publikuar, por edhe me një reagim pozitiv të shtëpive botuese, është adresuar në masën më të madhe çështja e furnizimit”, tha Çeku.

Ministri shtoi se ende ka ankesa nga prindërit që nuk i kanë pranuar mjetet financiare në llogaritë e tyre, duke sqaruar se kjo lidhet me procesin e verifikimit të të dhënave.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, e falënderoi Çekun për vizitën dhe uroi të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe personelin arsimor për një vit të mbarë e të suksesshëm.

“Për ne është nder që na vizitoni. Këtu në zyrën tonë do ta keni mbështetjen e plotë edhe për planin strategjik për arsimin, sepse është detyrë e të gjithë neve që të kemi një arsim më të mirë nesër”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se SBASHK-u do të vazhdojë komunikimin me institucionet dhe se kërkesat e anëtarësisë do të trajtohen në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Në fund të takimit, sipas njoftimit të SBASHK-ut, Çeku dhe Jasharaj u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe komunikimit, me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsim dhe kushteve për mësimdhënësit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram