AFËR termocentralit Jänschwalde në Brandenburg të Gjermanisë, u bë një përpjekje për një sulm ndaj një stacioni transformatorësh. Policia gjeti pajisje shpërthyese pranë termocentralit në Turnow-Preilack, të cilat thuhet se janë raketa të pajisura me eksplozivë. Ekspertët janë në terren dhe po punojnë për çaktivizimin e tyre, shkruan Welt .
Policia u informua për dëmtime të mundshme në njërën nga linjat këtë mëngjes rreth orës tetë. “Po sigurojmë të dhëna dhe ekspertët e çaktivizimit janë në terren”, tha zëdhënësja e policisë dhe konfirmoi se nuk ka rrezik për popullsinë. Hetimi u mor përsipër nga Zyra Rajonale e Policisë Kriminale të Brandenburgut (LKA) dhe pajisjet e gjetura u përshkruan si eksplozivë të improvizuar dhe pajisje ndezëse.
U gjetën disa raketahedhës
Gazeta “Märkische Allgemeine”, duke cituar burime nga qarqet e sigurisë dhe vetë kompania, shkruan se forcat e ndërhyrjes gjetën dhe çaktivizuan disa pajisje raketore me eksplozivë. Sipas të njëjtit burim, stacioni i transformatorëve u godit disa herë. Me sa duket, qëllimi ishte të shkaktohej një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike në bllokun E të termocentralit me qymyr.
Operatori i rrjetit 50Hertz konfirmoi për “Märkische Allgemeine” se incidenti kishte ndodhur. “Këtë mëngjes, autorë ende të panjohur ndoshta kanë dëmtuar disa linja në rrjetin e transmetimit 50Hertz”, thanë ata.
Termocentrali kryesor
Një ndërprerje e shkurtër u regjistrua në linja, por të gjitha tani janë rikthyer në funksion. Kompania thekson se furnizimi i përgjithshëm me energji elektrike nuk është në rrezik dhe se po bashkëpunon ngushtë me shërbimet përkatëse të sigurisë. Një zëdhënës i operatorit të termocentralit Leag konfirmoi se nuk pati të lënduar në kompani.
Nënstacioni Preilack, i vendosur në distriktin Spree-Neiße pranë kufirit me Saksoninë, është thelbësor për shpërndarjen e energjisë elektrike të prodhuar në termocentralin Jänschwalde në nivel rajonal dhe kombëtar. Termocentrali Jänschwalde, sipas Leag, u ndërtua midis viteve 1976 dhe 1989 dhe ishte termocentrali i fundit i madh i ndërtuar në ish-RDGJ.

