Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen e anëtarësisë së vet për humbjen e parakohshme të jetës të reporterit 26 vjeçar Xhesjon Zogu.
Një aksident rrugor me pasojë vdekjen, i ndodhur sot në aksin Fushë-Krujë–Rinas, mbi Urën e Gjolës, i ka marrë jetën gazetarit. Xhesjoni po udhëtonte me një automjet tip “Land Rover”, ndërsa i plagosur ka mbetur një qytetar nga Korça, i identifikuar si Behar Ruçi.
Kolegu ynë i dashur ndërroi jetë gjatë rrugës, teksa po transportohej drejt Spitalit të Traumës për mjekim të specializuar.
Humbja e jetës nga Xhesjoni është një dhimbje e thellë për gjithë familjarët e tij, për miqtë dhe kolegët dhe ndjekësit e vet. Xhesjoni edhe pse në fillesë të karrierës dhe profesionit spikati si një qytetar i angazhuar, i përgjegjshëm edhe pse humbi herët babain e vet, u shkollua dhe u edukua si një i ri me pasione dhe qëllime prej profesionisti.
UGSH përcjell ngushëllimet më të ndiera për familjen Zogu!
U prehsh në paqe kolegu ynë, i ndërprerë!!!

