Wednesday, September 2, 2026
HomeLajmeKosovë20 punëtorë të vdekur këtë vit, kërkohen masa më të forta për...

20 punëtorë të vdekur këtë vit, kërkohen masa më të forta për sigurinë 

Kriza me sigurinë në punë në Kosovë po thellohet, ndërkohë që rreziku në vendet e punës po shkon përtej aksidenteve me fatalitet. Përveç rasteve tragjike në ndërtimtari, shoqëria civile po alarmon për një tjetër rrezik të madh: sëmundjet profesionale që zhvillohen ngadalë në sektorët e rëndë, si KEK-u dhe Trepça. Në mungesë të një liste zyrtare shtetërore për këto sëmundje, qindra raste po mbeten të paidentifikuara dhe pa një trajtim institucional.

Një tjetër tragjedi në vendin e punës në Zubin Potok ka çuar në 20 numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën vetëm këtë vit. Ndërkohë që shoqëria civile alarmon për pasigurinë fizike nëpër vendpunishte, sëmundjet profesionale, një tjetër rrezik i padukshëm, mbetet krejtësisht i patrajtuar.

“Është punëtori i 20-të që vetëm në vitin 2026 e ka humbur jetën. Pra, punëtori i 20-të. Prej vitit 2021 deri në vitin 2026, 99 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës për shkak të rrezikshmërisë në vendpunishte, edhe ne, të vetmen gjë që kemi dëgjuar prej qeverisë përgjatë këtyre viteve është inspektimi edhe rritja e numrit të inspektorëve”, tha Lisjan Perolli, Instituti për Aksion Afirmativ.

Sektori i ndërtimtarisë mbetet ndër më të rrezikshmit dhe më vdekjeprurësit për punëtorët në Kosovë.

Një tjetër problem është mospërputhja mes shifrave zyrtare dhe të dhënave nga terreni. Ndërsa institucionet e pavarura raportojnë për 20 punëtorë të vdekur gjatë këtij viti, përfshirë edhe një të ri në sektorin e ndërtimit gjatë muajit korrik, Inspektorati Qendror i Punës ka evidentuar vetëm 14 raste.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve alarmon se nga viti 2018 e deri më sot, në vendin e punës kanë humbur jetën më shumë se 180 punëtorë.

Për këtë, Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se është i përkushtuar që në terren të zbatohen rregullat, sidomos në parandalim të aksidenteve në vendin e punës.

Në gjigantët si KEK-u dhe Trepça, punëtorët po vdesin larg kamerave nga pasojat shëndetësore që u la vendi i punës, pa një listë zyrtare që ua njeh këtë të drejtë.

“Ne flasim gjithmonë për vdekjet në vendin e punës, për sigurinë në vendin e punës, sepse janë gjëra që ne i shohim, i përjetojmë, sepse bie dikush prej skelave ose e humb jetën në vendin e punës, pëson aksident edhe shihet. Mirëpo, sa i përket shëndetit, askush nuk e trajton dhe nuk është trajtuar fare qe sa vjet. Ka ekzistuar një listë që ka qenë e përgatitur kohë më parë, por që ka mbetur në sirtarët e ministrisë diku. Ndoshta është edhe vonë me iu bërë thirrje që ta marrin parasysh shëndetin e punëtorëve”, theksoi Brikena Hoxha, Iniciativa Kosovare për Stabilitet.

Mungesa e listës zyrtare të sëmundjeve profesionale lë pjesë të madhe të problemit jashtë statistikave. Pa një listë zyrtare, mbetet e vështirë të përcaktohet se cilat sëmundje lidhen me profesionin, kush mban përgjegjësinë dhe si duhet të trajtohen e kompensohen punëtorët.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram