Një krizë e rëndë mjedisore ka ngritur në këmbë banorët e fshatit Shpenadi të Prizrenit. Ata po alarmojnë se lumi i fshatit po ndotet në mënyrë të vazhdueshme nga hedhja e mbetjeve shtazore prej një pularie lokale.
Këto mbetje organike po shkaktojnë erëra të padurueshme dhe po rrezikojnë seriozisht shëndetin publik e mjedisin përreth. Në anën tjetër, menaxhmenti i kompanisë i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se mbetjet trajtohen sipas standardeve dhe duke premtuar investime të reja teknologjike.
Ndotja e lumit që përshkon fshatin Shpenadi të Prizrenit nga mbetjet shtazore të një pularie ka sjell shqetësim te banorët. Sipas tyre, kjo situatë po shkakton erëra të pakëndshme dhe paraqet shqetësim për mjedisin dhe shëndetin publik. Banorët thonë se për këtë çështje janë ankuar edhe më herët te institucionet përgjegjëse.
Banorët kërkojnë nga kompania që të ndërmarrë masa për zgjidhjen e problemit dhe mbrojtjen e shëndetit të banorëve.
“Ne jemi këtu për t’i shfaqur shqetësimet tona rreth ndotjes që po bëhet si në ujë ashtu edhe në kundërmim të një ere që po vjen nga mbeturinat e thertores së pularisë këtu te varrezat e fshatit. Aty hidhen të brendshmet e pulave, nuk trajtohen si duhet, hidhen kamë të pulave, krena të pulave, pula të cofta e të ndryshme”, tha Gjergj Shtufi, banor.
“Ne nuk jemi gjë kundër për atë që ka e arrin me punë, me djers, por, duhet ta ketë një infrastrukturë të mbetjeve të shpezve pulave apo ku e di ç’farë. Në orën 5 në mëngjes dhe në mbrëmje në nuk mundemi me nejt jashta në oborret tona për shkak të aromës së keqe që mbretëron”, pohoi Par Spaqi, banor.
Drejtori i kompanisë, Naim Ukaj, thotë se kujdesen mjaft për ambientin, por hedhja e mbeturinave nuk bëhet asnjëherë në lumë. Sipas tij, këtë mund ta bëjnë kafshët, pasi Ekoregjioni i tërheq mbeturinat e tyre tri herë në javë. Gjithsesi ai thotë se kompania ka porositur pajisje të reja për grumbullimin e tyre, me synimin që të shmanget edhe hedhja e tyre në kontejnerë.
“S’është e vërtetë se uji bahet kuq, uji kalon nëpër rinecerator dhe mbetjet që mujn me kalu janë sasi minimale, jo rrjedha që del prej gypit është sasi minimale e mundshme e gjakut, patjetër që trajtohet njiherë në rinecerator, trajtohet në gropën skeptike, në rërë dhe del në lumë. Përveq kësaj, kompania jonë po e bën një investim shtesë, që mbetjet e pulës mos me shku më fare në kontinjer, po munngri e pastaj mu trajtu nga Ekoregjioni”, tha ai.
Ndonëse kompania shprehet se do të investojë më shumë në përmirësimin e gjendjes aktuale, banorët kërkojnë që menaxhimi i mbetjeve të bëhet në mënyrë që të mos ketë ndikim në mjedisin dhe jetën e komunitetit.

