Problemi i mbeturinave në Prishtinë po shtyn komunën drejt krijimit të një modeli të ri të menaxhimit të pastrimit. Autoritetet lokale kanë nisur procedurat për themelimin e një ndërmarrjeje publike që do të veprojë vetëm në kryeqytet, duke e arsyetuar këtë me kapacitetet e pamjaftueshme të kompanisë rajonale “Pastrimi”.
Ndërsa komuna synon ta dërgojë propozimin për votim në Kuvendin Komunal, qytetarët kërkojnë më shumë efikasitet nga institucionet, por pranojnë edhe përgjegjësinë e tyre për gjendjen në qytet.
Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë një hap radikal për ta zgjidhur krizën e kahershme të mbeturinave në kryeqytet. Gjatë ditëve të fundit, autoritetet lokale kanë nisur zyrtarisht procedurat për themelimin e një ndërmarrjeje të re publike për pastrimin, e cila do të operojë ekskluzivisht vetëm brenda Prishtinës.
Sipas të dytës në pushtetin lokal, Besianë Musmurati, kjo nismë bazohet në kompetencat që i jep Ligji për Kryeqytetin. Ky vendim vjen si pasojë e dështimit të kompanisë rajonale ‘Pastrimi’ për t’i mbuluar nevojat e qytetit, për shkak të mbingarkesës me shërbime në komunat e tjera të rajonit.
“Mosinvestimi në kompaninë “Pastrimi” na ka shtyrë që si komunë të marrim hapa, sepse, në të kundërtën, po të fuqizohej ndërmarrja, Prishtina s?kishte me pasë nevojë me themelu ndërmarrje të re. Po ta nënshkruante Hekuran Murati kredinë e butë me KfW-në gjermane, ku planifikoheshin 70 milionë euro investim për kompaninë “Pastrimi”, ku planifikoheshin blerja e 100 kamionëve shtesë për mbledhjen e mbeturinave, ku planifikoheshin vendosja e 10 mijë kontejnerëve shtesë, ne nuk do të ishim në këtë pozicion që jemi sot”, tha ajo.
Për momentin komuna është duke shqyrtuar pjesën e menaxhimit të mbeturinave si fazë të parë, për të pasuar më tej edhe themelimi i ndërmarrjes së veçantë.
“Ne nuk mund të mendojmë për riciklim, kur e dimë që ajo na kushton vlerë financiare jashtëzakonisht të lartë”, shtoi ajo.
Ndërkohë, gjendja e mbeturinave në kryeqytet mbetet alarmante. Banorët e kryeqytetit fajësojnë institucionet por nuk anashkalojnë edhe papërgjegjësinë qytetare.
“Mjafton t’i vizitosh shumë rrugica të kryeqytetit dhe nëpër shumë kënde ka mbeturina që nuk hiqen me javë të tëra”, tha një qytetar.
“Na kemi faj, se i qesim gjithkund. Me pasë edukatë, pse s’po i qesim nëpër oborr”, theksoi tjetri qytetar.
Derisa themelimi i një ndërmarrjeje të re, që do të kujdeset për pastërtinë e kryeqytetit, ta marrë dritën e gjelbër, si propozim në Kuvendin Komunal, për të pasuar planifikimet buxhetore për vitin që vjen, banorëve të kryeqytetit u mbetet t’i shtojnë përgjegjësitë individuale.

