Friday, September 4, 2026
HomeLajmeKosovëPDK dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e Kuvendit: Kosova ndodhet në bllokadë

PDK dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e Kuvendit: Kosova ndodhet në bllokadë

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës, së bashku me disa asamblistë të Komunës së Prishtinës, kanë zhvilluar sërish një aksion para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.

Pjesëmarrësit e aksionit kanë kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e bërë përgjegjës për, siç kanë thënë, bllokadën institucionale në vend.

Asamblisti i Prishtinës, Yll Muriqi, tha se mungesa e funksionimit të institucioneve po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët.

“Sërish jemi mbledhur para jush për të kërkuar llogari nga deputeti Albin Kurti, i cili e ka sjellë vendin në bllokadë totale. Ne e dimë që institucionet nuk po funksionojnë, vendi është paralizuar dhe të gjitha këto probleme qytetare vetëm po vijnë duke u grumbulluar. Në vend që në këtë kohë institucionet të funksionojnë, ne kemi komplet situatën e paralizuar dhe në vend që të kemi përgjegjësi, ne kemi arsyetime. Në vend të zgjidhjeve, ne kemi domethënë vetëm propagandë. Kosova nuk mund të mbahet peng nga paaftësia e një njeriu kokëfortë siç është Albin Kurti, i cili nuk di të qeverisë“, tha Muriqi.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e cilësoi situatën aktuale si krizë të shumëfishtë, duke përmendur krizën kushtetuese, politike dhe ekonomike.

“Edhe sot bashkë me kolegët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës dhe asamblistë kemi ardhur për të dalë sërish para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për të përçuar mesazhin te qytetarët e Kosovës se kjo ndërtesë e qeverisë është uzurpuar, është okupuar nga një deputet i cili që nga viti 2025 e mban Kosovën peng, e mban Kosovën në kriza të vazhdueshme dhe kriza është e shumefishtë”, tha ai.

Behrami tha se vendi, sipas tij, po përballet me një krizë të thellë institucionale dhe ekonomike, ndërsa ngriti edhe pyetje lidhur me shpenzimin e buxhetit.

“Jemi në një krizë kushtetuese më të thellën që nga historia e Kosovës, jemi në një krizë politike më të thellën që nga paslufta në Republikën e Kosovës, jemi në një krizë ekonomike, në një krizë edhe me aleatët tanë. Qeveria e Kosovës e ka pasur një buxhet prej 4 miliardë euro. Sot jemi në shtator. Ku janë këto para? Ku kanë shkuar këto para? Pra nuk kemi asnjë projekt, nuk kemi asnjë projekt në shëndetësi, asnjë projekt në infrastrukturë, asnjë projekt në fushën e arsimit dhe jemi në një kolaps total”, theksoi ai.

Ai kërkoi që deputetët të rikthehen në Kuvend dhe të procedohet me konstituimin e institucioneve.

“Prandaj thirrja jonë edhe një herë është që të rikthehemi në Kuvend, të konstituojmë institucionet e Republikës së Kosovës dhe që të vazhdojmë t’i adresojmë sfidat e brendshme dhe të jashtme që i presin Republikën e Kosovës. Kjo përpjekje e zotëri Kurtit, këto tundime për t’u shndërruar në një autokrat do të dështojnë sepse ne, edhe si parti politike, edhe në parlament do të bëjmë çdo gjë për të parandaluar diçka të tillë dhe për të rikthyer edhe një herë Kosovën në binarët kushtetues“, tha Behrami.

Në aksion u përfshi edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e cila tha se daljet para Qeverisë synojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit publik për gjendjen institucionale.

“Ashtu siç e tha edhe kolegu ynë, bashkë me deputetët e PDK-së dhe ne Aleanca, po dalim çdo ditë këtu në aksione simbolike për të marrë vëmendje dhe për të kërkuar që t’i kthehemi institucioneve, që t’i kthehemi kushtetutshmërisë”, theksoi ajo.

Kadrijaj përmendi edhe probleme që, sipas saj, janë shfaqur në arsim dhe shëndetësi.

“Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne duhet të ballafaqohemi me probleme të tjera sepse njeriu i cili ka fituar zgjedhjet nuk i kthehet institucioneve, nuk e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë”, tha ajo.

Ajo foli për çështje që lidhen me procesin arsimor, furnizimin me barna dhe specializimet në sektorin shëndetësor.

“Përderisa fëmijët ballafaqohen me sigurinë e testeve shkollore, me komplikimin që e ka bërë Ministria e Arsimit, përderisa shkollat kanë filluar procesin mësimor pa ditarë në shkolla, përderisa të sëmurët dhe pacientët na drejtohen për shkak se nuk ka barna në onkologji dhe në sektorët e tjerë dhe detyrohen t’i blejnë dhe e dimë që e kanë një kosto të lartë buxhetore, përderisa Ministria e Shëndetësisë ka vite që s’ka hapë konkurs për pranimin e specijalizantëve të cilët kërkojnë që të avancohen në shëndetësi në drejtimet përkatëse, domethënë e kemi një bllokadë totale”, tha ajo.

Në fund, Kadrijaj tha se kërkesa e tyre është zhbllokimi i institucioneve dhe fajësoi Kurtin për situatën aktuale.

“E kemi një bllokadë totale dhe arsyeja që po dalim, kërkojmë që ta zhbllokojmë këtë bllokadë të cilën qëllimshëm po e shkakton Albin Kurti. Adresa e kësaj bllokade, adresa e së keqes së këtij vendi është Albin Kurti“, tha Kadrijaj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram