Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën në lagjen e Jasharajve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Lajmi është bërë i ditur në një konferencë për media nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë.
“Sot, Prokuroria Speciale ka marrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor duke dorëzuar aktakuzën e një çështjeje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe për opinionin publik, e që lidhet me vrasjen civilëve shqiptarë në lagjen e Jasharajve në Prekaz”, tha Isufaj.
Ai theksoi se aktakuza është rezultat i një pune të bazuar në prova dhe në përputhje me kompetencat ligjore të Prokurorisë Speciale.
“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzë të parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz. Tani është në kompetencë të gjykatës që të shqyrtojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë”, tha ai.
Isufaj tha se si Prokurori Speciale janë të bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës.
“Rëndësia e kësaj aktakuze gjithashtu qëndron në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për hetimin e krimeve të luftës dhe për të kërkuar përgjegjësisë penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve apo kohës që ka kaluar nga kryerja e tyre”, tha ai.
Isufaj tha se Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në hetimin profesional, të pavarur dhe të paanshëm të krimeve të luftës dhe ndjekjen penale të personave ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi, tha se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale dhe personale për përfshirjen e të pandehurve në sulm.
“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që të vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprat penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile”, tha Gashi.
Sipas tij, 35 të pandehurit kanë pasur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të policisë serbe.
Prokuroria ka identifikuar, sipas Gashit, edhe njësitë e forcave serbe që morën pjesë në sulm, pozitat e komanduesve, aktivitetet e të pandehurve, armatimin e përdorur dhe dëmet e shkaktuara në njerëz dhe pasuri.
Hetimi ka konstatuar se gjatë sulmit në lagjen Jashari janë vrarë 26 persona civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Viktima më e re, sipas Prokurorisë, ishte 5-vjeçare.
“Përveç kësaj, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorët e lagjes Jasharaj, në të cilin rast i kishin keqtrajtuar në mënyra të ndryshme”, tha prokurori Gashi.
Ai bëri të ditur se në sulm kanë marrë pjesë disa struktura të forcave serbe, përfshirë Departamentin e Sigurisë Publike, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Departamentin e Sigurisë Shtetërore dhe Njësinë për Operacione Speciale (JSO).
Sipas Gashit, JSO-ja drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”, dhe kjo njësi kishte, sipas aktakuzës, detyrë të sulmonte drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit.
“Janë shumë njësi që janë përfshirë. Është Njësia e Posaçme e Policisë, Njësia Speciale Antiterroriste, mandej kemi departamente të Punëve të Brendshme që janë në kuadër të nivelit të Ministrisë”, tha Gashi.
Prokurori bëri të ditur se hetimi ka qenë kompleks dhe është zhvilluar në mungesë, pasi asnjëri nga 35 të pandehurit nuk ka qenë në dispozicion të autoriteteve të Kosovës.
I pyetur nëse të gjithë të pandehurit janë gjallë, Gashi tha se, bazuar në informacionet që ka Prokuroria, të gjithë ata janë gjallë.
Megjithatë, ai sqaroi se nëse sigurohet informacion se ndonjëri prej tyre ka vdekur dhe kjo nuk ka qenë e njohur më parë, Prokuroria mund të tërhiqet nga aktakuza ndaj atij personi, në përputhje me ligjin.

