Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë sigurie mbi një ngastër prej 68 ari në zonën e fakulteteve teknike, pronë komunale në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës.
Sipas Universitetit të Prishtinës, masa e sigurisë është vendosur më 24 gusht 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
UP-ja ka bërë të ditur se vendimi ndalon çdo veprim që mund të çojë në shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë, dhënien në shfrytëzim, ndryshimin e gjendjes faktike apo tjetërsimin e kësaj prone në çfarëdo forme.
Universiteti e ka cilësuar vendimin si zhvillim me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e pronës publike, duke theksuar se për vite me radhë mbi këtë ngastër janë ngritur pretendime nga persona privatë.
Sipas komunikatës të UP-së, ndaj Universitetit janë paraqitur edhe kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë për hapësirën që, sipas UP-së, është shfrytëzuar në mënyrë legjitime për veprimtarinë akademike dhe institucionale.
Çështja lidhet me një aktgjykim të pretenduar të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, të datës 27 maj 1998, përmes të cilit pretendohet se prona komunale kishte kaluar në pronësi private dhe më pas ishte bartur te persona të tjerë.
UP-ja rikujton se rasti ishte trajtuar edhe nga Komisioni Parlamentar i Kuvendit të Kosovës për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Në raportin e 14 majit 2024, sipas UP-së, komisioni kishte evidentuar probleme dhe dyshime lidhur me dokumentacionin dhe historikun e pronës, duke kërkuar trajtimin e rastit nga organet kompetente të drejtësisë.
Universiteti ka shprehur mirënjohje për ish-Komisionin Parlamentar, si dhe për ish-deputeten Fitore Pacolli dhe Milazim Salijajn për angazhimin në trajtimin e kësaj çështjeje.
UP-ja ka falënderuar gjithashtu institucionet e drejtësisë dhe hetuesisë për trajtimin e rastit.
Në komunikatë thuhet se mbrojtja e pasurisë universitare është një nga prioritetet e menaxhmentit aktual, të udhëhequr nga rektori Arben Hajrullahu.
“Prona publike nuk është pronë pa zot. Ajo i përket publikut. Dhe Universiteti i Prishtinës do ta mbrojë atë pa kompromis”, thuhet në komunikatën e UP-së.
Në kuadër të përpjekjeve për rikthimin e hapësirave universitare në funksion, UP-ja ka njoftuar edhe për hapat konkretë dhe për rikthimin në funksion të hapësirave të tjera universitare. Studentët dhe personeli akademik i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë pritet të fillojnë vitin akademik në objektin e ri, i cili për më shumë se dhjetë vjet nuk ishte shfrytëzuar për shkak të afërsisë me infrastrukturën e tensionit të lartë dhe depo të tjera teknike. Këto pengesa tashmë janë larguar.
Universiteti u ka bërë thirrje personave fizikë dhe juridikë që, sipas tij, mbajnë ose shfrytëzojnë pa bazë të qartë juridike hapësira dhe prona universitare, që deri më 30 tetor 2026 t’i lirojnë dhe t’ia kthejnë Universitetit.
Po ashtu, UP-ja ka ftuar zyrtarët aktualë e ish-zyrtarët, si dhe qytetarët që kanë informacione ose dokumente për tjetërsim, uzurpim apo keqpërdorim të pronave universitare, që t’ua përcjellin ato institucioneve kompetente.
Universiteti ka theksuar se rastet për të cilat ekzistojnë indicie për shkelje do të dokumentohen dhe do të procedohen pranë organeve përgjegjëse.

