Dhunuan një 26-vjeçar te mbikalimi i Rinasit, ndalohen Jozi Marku dhe një tjetër, në kërkim dy të tjerë
Një konflikt i filmuar dhe publikuar në rrjetet sociale ka çuar në ndalimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, pas ngjarjes së ndodhur pranë mbikalimit të Rinasit.
Sipas policisë është ndaluar Jozi Marku, 30 vjeç, një emër i njohur për publikun. Ai përballet me veprat penale si heqje të paligjshme të lirisë, plagosje të lehtë me dashje, kanosje, mbajtje pa të drejtë të uniformës dhe ndërhyrje të padrejtë në jetën private.
Gjithashtu është ndaluar Kristian N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtuesi i një automjeti tip “Land Rover”. Ndaj tij rëndojnë akuza për përkrahje të autorit të krimit, armëmbajtje pa leje, heqje të paligjshme të lirisë, plagosje të lehtë me dashje, kanosje dhe vepra të tjera.
Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së Kristian N., efektivët gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, personat e ndaluar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë dhunuar Eduard K., 26 vjeç, pas një konflikti që dyshohet se nisi për shkak të një fyerjeje.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

