Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për vendosjen e një detyrimi të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.
Sipas Kusarit, vendimi është marrë pas një hetimi të zhvilluar nga ministria, gjatë të cilit janë evidentuar dëshmi paraprake për importe me çmime dumping dhe dëmtim të prodhuesve vendorë.
“Prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme. Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë. Do të përdorim çdo instrument ligjor në dispozicion për të mbrojtur prodhimin vendor, konkurrencën dhe interesin ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Kusari në Facebook.

