Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka zgjedhur Kreshnik Kaçiun kryetar të Gjykatës Administrative të Kosovës. Kaçiu mori nëntë vota për dhe një kundër në votimin e zhvilluar nga KGJK-ja, ndërsa mandati i tij në këtë pozitë do të zgjasë pesë vjet.
Përzgjedhja e kryetarit të ri u zhvillua pas shqyrtimit të kandidaturave dhe rezultateve të procesit të vlerësimit. Në garë për këtë pozitë ishin Kreshnik Kaçiu dhe Liridona Ajeti-Kajtazi.
Sipas të dhënave të prezantuara në mbledhje, Kaçiu grumbulloi 74 pikë, duke kaluar pragun prej 70 pikësh të përcaktuar për kandidatët. Në anën tjetër, Ajeti-Kajtazi nuk arriti të sigurojë pikët e nevojshme dhe, për rrjedhojë, nuk u rekomandua për të vazhduar në fazën e votimit.
Zëvendëskryesuesja e KGJK-së, Afërdita Bytyqi, propozoi që Kaçiu të procedohej për votim, ndërsa kandidatura e Ajeti-Kajtazit të mos dërgohej në këtë fazë për shkak të moskalimit të pragut.
Pas votimit, KGJK-ja i dha besimin Kaçiut për të udhëhequr Gjykatën Administrative për një mandat pesëvjeçar.
Kreshnik Kaçiu është gjyqtar në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtari Kaçiu ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 2011, ndërsa studimet Master (LL.M.) i ka përfunduar në Universitetin e Maastrichtit në Holandë në vitin 2012. Provimin e Jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2016.
Gjyqtari Kaçiu gjithashtu ka përfunduar studimet themelore në drejtimin Shkenca Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Për më tepër, Gjyqtari Kaçiu është autor i disa punimeve shkencore në lëminë juridike, trajner i çertifikuar i Institutit të Kosovës për Administratë Publike si dhe pjesëmarrës në dhjetëra trajnime e konferenca me karakter kryesisht ndërkombëtar.
Nga janari deri në maj të vitit 2013, gjyqtari Kaçiu ka punuar si Zyrtar i Lartë për Legjislacion të BE-së në Departamentin Ligjor, nga qershori 2013 deri në prill 2018 ka punuar si Inspektor në Agjencinë e Regjistrimit Civil si dhe nga maji 2018 e deri në janar 2019 ka ushtruar funksionin e Zyrtarit të Lartë për Integrim Evropian në Departamentin për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, të gjitha këto funksione në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me datë 21.01.2019 është emëruar gjyqtar nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Nga Presidentja e Republikës së Kosovës me datë 10 janar 2022 është emëruar gjyqtar me mandat të përhershëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, detyrë të cilën e ushtron ende.

