Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka shqyrtuar punën e gjykatave gjatë tremujorit të dytë dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Në takimin e 372-të të KGJK-së, kryetarët e gjykatave kanë paraqitur raportet për punën e tyre gjatë periudhës prill–qershor, ndërsa është raportuar edhe për punën e Departamenteve Speciale të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas KGJK-së, raportet përmbajnë të dhëna për numrin e lëndëve të pranuara dhe të përfunduara, efikasitetin e gjykatave, regjistrimin e lëndëve në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), si dhe transparencën dhe komunikimin me publikun.
“Raportet përfshijnë të dhëna të ndryshme lidhur me performancën e gjykatave në përfundimin e rasteve gjyqësore”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Raportet janë paraqitur nga drejtuesit e Gjykatës Supreme, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe gjykatave themelore në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë, si dhe nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative.
Pas prezantimeve, të gjitha raportet e punës për këtë periudhë u miratuan nga anëtarët e KGJK-së.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, falënderoi kryetarët e gjykatave për raportimet dhe kërkoi angazhim të shtuar për rritjen e efikasitetit.
“Është e nevojshme një angazhim i shtuar me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës së gjykatave”, theksoi Thaqi.
Në mbledhje u miratuan edhe rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, si dhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të KGJK-së nr. 23/2026, të datës 16 janar 2026.

