Pas ndërprerjes të seancës së sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se LDK-ja ka vendosur të mbështesë propozimet për nënkryetarë të Kuvendit, nëse ato nuk kanë probleme ligjore
Ajo tha se në votimin individual për secilin nënkryetar, grupi parlamentar i LDK-së do t’i përkrahë propozimet e grupeve parlamentare.
“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e grupeve parlamentare, të cilat janë propozime të partive politike dhe që nuk kanë problem me ligjin”, tha Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu theksoi se funksionalizimi i institucioneve është i rëndësishëm, veçanërisht pas periudhës së gjatë të mungesës së tyre.
“Nuk ka dyshim që konstituimi është tepër i rëndësishëm. Ne jemi në një periudhë shumë të rëndësishme historike dhe institucionet, pas një mungese kaq të gjatë, duhet të kthehen, duhet të bëhen funksionale dhe të kemi institucione fuqiplota”, deklaroi ajo.
Duke folur për votimin në pako të nënkryetarëve, ajo tha se për zbatimin e këtij vendimi duhet të ketë konsensus ndërmjet grupeve parlamentare.
“Sepse nuk kishte konsensus. Gjithsesi, edhe në bazë të aktvendimit për t’u zbatuar votimi në pako, duhet të ketë konsensus në mes të grupeve parlamentare”, tha Lushaku-Sadriu.

