(E plotësuar) Në Prishtinë po mbahet marshimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nën organizimin e platformës “Liria ka Emër”.
Gucati: Drejtësia nuk guxon të shndërrohet në rishikim të historisë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka marrë pjesë në marshimin e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se qëllimi i tubimit nuk është mbrojtja e individëve, por mbrojtja e së vërtetës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.
Në fjalën e tij, Gucati iu drejtua familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, si dhe familjeve të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu për të mbrojtur individin. Jemi mbledhur për të mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për të mbijetuar, për të qenë i lirë dhe për ta ndërtuar shtetin tonë”, tha Gucati.
Ai theksoi se, sipas tij, UÇK-ja u ngrit kundër shtypjes dhe se lufta e saj nuk duhet të rishikohet përmes proceseve gjyqësore.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Drejtësia nuk guxon kurrë të shndërrohet në rishikim të historisë, e as të përdoret si armë kundër çlirimtarëve tanë”, deklaroi Gucati.
Kreu i OVL-UÇK-së kërkoi që procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të jetë i drejtë dhe i paanshëm, duke respektuar të drejtat e të gjithë të akuzuarve.
“Ne kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt të plotë për të drejtat e secilit të akuzuar”, u shpreh ai.
Gucati foli edhe për rolin e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës gjatë luftës, duke veçuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
“Kosova nuk ishte vetëm, por kishte pas vetes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe superfuqinë botërore, NATO-n. Ishin aleatët tanë në ditët më të vështira, kur populli ynë luftonte për mbijetesë”, tha ai.
Sipas Gucatit, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk duhet të shndërrohet në një goditje ndaj së vërtetës së luftës.
Ai tha se, në rast të një padrejtësie të tillë, përfitues politikë do të ishin Serbia dhe Rusia.
Në fund të fjalimit, Gucati theksoi se, sipas tij, asnjë proces gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën për sakrificën dhe çlirimin e Kosovës.
“Liria e Kosovës u fitua me sakrificë. Asnjë sallë gjyqi nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë dhe asnjë agjendë politike nuk mund ta kriminalizojë luftën tonë të drejtë. Ne kërkojmë drejtësi, e jo që historia jonë të rishkruhet! Lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, përfundoi Gucati.
Tasholli: Një zëri në mënyrë edhe simbolike, i shpallim të pafajshëm
Përfaqësuesi i Platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka mbajtur fjalim në marshimin në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke bërë thirrje për bashkim dhe solidaritet me ta.
Tasholli, në fjalën e tij para të pranishmëve, u është drejtuar familjeve të dëshmorëve e martirëve, veteranëve, organizatave të dala nga lufta, ish-burgosurve politikë dhe qytetarëve të Kosovës. Ai ngriti pyetjen se kush kthehet i fundit nga beteja, duke iu përgjigjur se janë “çlirimtarët që i presim në tokën e tyre”.
“E kush kthehet i fundit nga beteja? Të gjithë e dini: çlirimtarët që i presim në tokën e tyre!”, tha Tasholli, duke u shoqëruar me duartrokitje dhe brohoritje nga turma. Më tej, ai deklaroi se të gjithë së bashku, në mënyrë simbolike, i shpallin të pafajshëm çlirimtarët.
“Prandaj, të gjithë bashkë këtu, njëzëri, në mënyrë edhe simbolike i shpallim të pafajshëm!”, u shpreh ai.
Tasholli falënderoi ushtarët e UÇK-së për sakrificën e tyre, duke theksuar se kontributi i tyre nuk do të harrohet.
“E ushtarit të lirisë i themi: Faleminderit! I përkulemi për gjakun, mundin, djersën dhe sakrificën e tyre. Faleminderit përgjithmonë!”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Tasholli theksoi gjithashtu rolin bashkues të UÇK-së, duke thënë se ajo i ka bashkuar shqiptarët dje dhe vazhdon t’i bashkojë edhe sot.
“UÇK-ja na ka bashkuar dje, UÇK-ja na bashkon edhe sot, UÇK-ja do të na bashkojë gjithmonë, përherë, kudo! Sepse ka qenë drita në terrin tonë kombëtar, dhe këtë nuk e harrojmë kurrë!”, deklaroi Tasholli. Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 16 shtator të mblidhen për t’i pritur çlirimtarët në Kosovë.
“Le t’i presim më 16 shtator po këtu, çlirimtarët në tokën e tyre aty ku përkasin. Për aq sa luftuan, për aq sa bënë”, tha ai.
Tasholli iu referua edhe betimit të ushtarëve, duke theksuar se shokët nuk lihen vetëm.
“Brenda betimit të secilit ushtar është edhe nënteksti që shokët nuk lihen vetëm. Ata janë në betejën e fundit dhe nuk janë vetëm, sepse të gjithë jemi me ta!”, tha ai.
Në përmbyllje të fjalimit, Tasholli përsëriti thirrjen për pjesëmarrje më 16 shtator, duke e cilësuar atë si “festën e pritjes” për çlirimtarët.
“Le t’i presim më 16 ashtu siç na ka hije, siç u ka hije atyre, sepse Kosova me të vërtetë i pret. Liri për çlirimtarët, bashkë më 16-tin në festën tonë të pritjes për ta”, përfundoi Tasholli.
Eliza Hoxha: Kosova marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet
Në fjalimin e saj, përfaqësuesja e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka kujtuar Marshin e Lirisë të vitit 1999, duke e lidhur atë me marshimin e sotëm në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Hoxha tha se në shtatorin e vitit 1999 Kosova ishte mbushur me ushtarë të UÇK-së, të cilët pas demilitarizimit marshuan nëpër qytetet e Kosovës për të festuar lirinë dhe më pas u bashkuan në Prishtinë.
“Ai marsh quhej Marshi i Lirisë. Dhe si për ironi, sot, 27 vjet më vonë, populli i Kosovës sot marshon për liri. Marshon për liri në liri. Marshon për lirinë e atyre që e sollën lirinë tonë, marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet”, tha Hoxha.
Ajo theksoi se qytetarët sot po marshojnë për ata që, sipas saj, u ngritën në ditët më të vështira dhe guxuan për lirinë e Kosovës.
“Sot marshojmë me UÇK-në, për UÇK-në! Sepse UÇK-na bashkon! Na ka bashkuar dikur, na bashkon edhe sot, na bashkon për jetë e mot!”, u shpreh ajo.
Hoxha tha se Kosova po pret drejtësi dhe dinjitet, duke kërkuar kthimin në Kosovë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. “Ndërsa në këto ditë që Kosova po numëron orët dhe po pret, nga këtu, nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga Prishtina i themi botës se Kosova pret drejtësi! Kosova po pret dinjitet! Kosova po e pret që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të kthehen në shtëpinë e vet!”, deklaroi Hoxha. Fjalimi u përcoll me duartrokitje dhe brohoritje nga turma, përfshirë thirrjet “Kadri!” dhe “UÇK!”.
Në sheshet kryesore të kryeqytetit janë parë flamuj dhe emblema të UÇK-së, ndërsa atmosfera është intensifikuar në prag të marshit, i cili pritet të nisë në orën 14:00.
Marshi zhvillohet vetëm katër ditë para shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale në rastin ku ish-udhëheqësit e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte.
Qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës kanë mbërritur në Prishtinë, duke e kthyer kryeqytetin në qendër të vëmendjes para nisjes së protestës.
Gjithashtu, gazetari i RTK-së në terren ka njoftuar se marshit i janë bashkuar edhe shumë politikanë dhe deputetë nga i gjithë spektri politik.

