Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se në mungesë të një kandidati konsensual, ata nominuan Glauk Konjufcën për president shteti.
Nagavci para gazetarëve në konferencë për media i ka bërë thirrje edhe partive opozitare që të dalin me propozimin e tyre për president në mënyrë që, siç tha, të përmbushet kriteri kushtetues për garën presidenciale që duhet të jenë së paku dy kandidatë, dhe kështu, tha ajo, do të evitoheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Deri më tani nuk kemi arritur të kemi një kandidat konsensual, në mungesë të tij, rruga tjetër ka qenë që secili subjekt politik ta propozojë nga një kandidat në përmbushje të obligimit kushtetues. Prandaj, ne si LVV kemi deklaruar mbështetjen tonë për nënkryetarin e lëvizjes, zëvendëskryeminsitrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, njeriun e dytë më të votuar në historinë e vendit dhe një figurë që gëzon mbështetje të plotë qytetare”, tha ajo.
Nagavci e cilësoi Konjufcën si autoritetin kryesor unifikues të unitetit politik në kohën sa ka shërbyer si kryetar Kuvendi.
E pyetur nëse do të propozojnë edhe një tjetër kandidat për të mundësuar garën presidenciale, Nagavci tha se do të bëjnë gjithçka që është në mandatin e tyre, në mënyrë që t’i shmangin zgjedhjet.
“Ne presim nga subjektet tjera, nëse nuk janë të interesuar do të shqyrtohet edhe ai opsion”, tha ajo.

