Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës, duke e cilësuar atë simbol të qëndresës dhe dashurisë për atdheun.
Hamza ka thënë se fjalët janë të pakta për të përshkruar figurën e Brovinës.
“Sot na la Flora Brovina. Na la një grua e fortë, një nënë, mjeke, intelektuale dhe veprimtare që gjithë jetën ia kushtoi Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar Hamza.
Ai ka shtuar se Brovina do të mbetet përherë një figurë e rëndësishme për PDK-në dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe bashkëpunuar me të.
“Flora nuk u përkul kurrë para vështirësive. Ajo qëndroi me dinjitet, guxim dhe përkushtim deri në fund të jetës. Për mua, për PDK-në dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin, ajo do të mbetet përjetësisht simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun. Fjalët janë të pakta për humbjen e saj. Prehu në paqe, Florë!”, ka shtuar Hamza, teksa i ka dërguar ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën.

